Sonte RTK me premierë të dokumentarit për Kurrizin, Gërvalla shpalos detaje
BKT
Kulturë

Sonte RTK me premierë të dokumentarit për Kurrizin, Gërvalla shpalos detaje

Shqipe Gashi|RTKlive

Radio Televizioni i Kosovës sonte do të shfaqë premierën e dokumentarit “Tuneli i rezistencës - Kurrizi i viteve të ‘90ta”, duke filluar nga ora 22:00.

Dokumentari trajton mënyrën se si ‘Kurrizi’ nga një zonë e njohur për kafiteritë, arriti të frymojë me zhvillimin e rezistencës kulturore dhe shndërrimin në një adresë për kujtesë kolektive. Shfaqje filmash e dramave teatrale, ekspozitat vizuale e promovimet e librave e karakterizuan këtë pjesë të qytetit, për t’ia dhënë veçantinë e asaj kohe.  

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla i ftuar në “Mirëmëngjesi Kosovë” shpalosi detaje se çka do të mund të shohin shikuesit e transmetuesit publik.

“Dokumentari ka arritur të përçojë mesazhin se çka është komuniteti dhe si arrin të organizohet një komunitet brenda një hapësire të vogël brenda një kohe okupimi. Në vitet e ‘90ta ka qenë represioni më i ashpër që e ka bërë Serbia”, tha ai, duke shpjeguar mënyrën se si ndodhnin takimet dhe paralajmërimet shumë ditë më parë.  

“Së bashku me Kaltrina Ajetin, gazetare e redaktore në RTK, Mumin Jashari si producent që ka kontribuar me kamerë e montazh, patëm arrit që të krijojmë një ekip që do të merret me memorien kolektive e mbamendjen historike sepse shpesh herë po harrojmë që kemi kaluar nëpër disa faza jetësore, procese politike e kulturore. Kurrizi ka qenë një qendër që është krijuar mentaliteti i ri i viteve të ‘90ta. Në Kurriz ke parë Evropën e vogël, Amerikën e rokut dhe 'bluesy', mendësinë liberale”, shtoi Gërvalla.

Gërvalla foli për rëndësinë e kontributit të transmetuesit publik në ruajtjen e kujtesës kolektive nëpërmjet dokumentarëve televiziv. Ai tha se përvjetori i sivjetmë i RTK-së do të shënohet me shfaqjen e dokumentarëve më të mirë ndër vite përveçse se në televizion, edhe nëpër kinematë vendore.

“Ne po e nisim me ‘Kurrizin’ si një përmbledhje, e mbase në të ardhmen do ta bëjmë një cikël dokumentarësh mbi vitet e ‘90ta, rezistencën, mentalitetin e komunitetin e ri që e prodhoi ajo situatë”, përfundoi drejtori i TV-së.


MË SHUME NGA Kulturë