Edwards mohon që Prokuroria ka prova për Kilajn për pengim drejtësie
BKT
Lajme

Edwards mohon që Prokuroria ka prova për Kilajn për pengim drejtësie

Medina Pasoma / RTKlive

(E plotësuar, ora 16:15) Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së për Dëshmitarin 7, seanca e ditës së sotme u mbyll. Gjykimi do të rifillojë të hënën, 2 mars 2026, në orën 09:30, kur pritet që ekipet e Mbrojtjes të fillojnë pyetjet e tyre për të njëjtin dëshmitar. 

(E plotësuar, ora 15:44) Pas përfundimit të deklaratave hyrëse nga ZPS-ja dhe ekipet e Mbrojtjes së Smakajt dhe Kilajt, ZPS-ja thirri dëshmitarin e parë të saj këtë pasdite. Dëshmitari dëshminë e tij po e jep nën masa mbrojtëse si Dëshmitari 7.

(E plotësuar) Avokati i Isni Kilajt, Ian Edwards, akuzoi Prokurorinë Speciale se nuk ka asnjë provë që klienti i tij ka pranuar ndonjë ‘udhëzim’ për të ndikuar në deklaratat e dëshmitarëve.

“Nuk ka asnjë provë të vetme për këtë periudhë kohore që Kilaj të ketë bërë ndonjë gjë në bazë të vizitës që ka pasur në Hagë... Jo vetëm që nuk ka prova që Kilaj të ketë bërë diçka pas takimeve të tetorit, por nuk ka asnjë provë për relevancën e veprimeve që ka ndërmarrë Kilaj para takimit të 6 tetorit, që të çon në deduksionin se ka pasur synim kriminal nga ana e tij”, tha ai, duke aluduar te vizita që Kilaj i bëri Thaçit më 6 tetor.

Ai tha se nuk është argument por realitet fakti që Kilaj e Thaçi kanë bërë veprat të cilat Prokuroria i ka ngarkuar në aktakuzë.

Mbrojtja e Smakajt mohon ndikimin te dëshmia e Zyrapit

Mbrojtja e Bashkim Smakajt, Jonathan Rees, mohoi pretendimet se klienti i tij ka ndikuar apo diskutuar me Bislim Zyrapin për dëshminë që ky i fundit do të jepte në Hagë.

“Smakaj pavarësisht se ka qenë mik me Bislim Zyrapin dhe është takuar me të rregullisht, nuk ka pasur diskutime me Zyrapin lidhur me dëshminë e tij për çështjen 6 dhe nuk i ka treguar asnjë dokument lidhur me të”, tha Rees, teksa çështja 6 ka të bëjë me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rees më tej iu kundërpërgjigj Prokurorisë për dokumentin që pretendohet se është gjetur në makinën e Smakajt. Ai tha se nuk ekziston asnjë provë që ky dokument ishte gjetur në veturën e Smakajt.

“Smakaj ka thënë se nuk e ka parë ndonjëherë këtë dokument, por ZPS nuk na ka njoftuar se çfarë provash kanë nxjerrë në lidhje me dokumentin në fjalë, e as se kur e mori për herë të parë dokumentin në fjalë. Ju nuk do të dëgjoni asgjë në lidhje me këtë sepse nuk ka prova”, tha Rees.

Përveç audio incizimeve, Prokuroria shpalos dokumente të gjetura

Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka përfunduar deklaratën hapëse ndaj pesë të akuzuarve për pengim të drejtësisë, dhe ka kërkuar dënimin e tyre sipas ligjit.

“Ata kanë kryer vazhdueshëm krimet e përmendura në aktakuzë me vetëdije dhe kërkojmë që ata të dënohen në përputhje me ligjin”, tha ZPS.

Gjatë shpalosjes së provave në gjykimin ndaj pesë të akuzuarve, prokuroria shpalosi edhe prova materiale si letra të ndryshme të gjetura në ambientet e tyre private.  

Njëri nga ta është ashtu siç supozon Prokuroria, një letër e grisur gjetur në banesën e Isni Kilajt në Kosovë, e që pretendohet të jetë dëshmia paraprake e dëshmitarit numër 4, e që Thaçi kishte kërkuar të ndryshohej.

Letra me konfidencialitetin e ruajtur nga gjykata duket si më poshtë:

Më tej në mesin e provave, prokuroria shpalosi edhe një dokument që sipas tyre, është gjetur në makinën e Bashkim Smakajt. Sipas tyre, ky dokument ka të nënvizuar “aspekte që minimizojë rolin udhëheqës të Thaçit në UÇK”.

ZPS shpalos audio incizime, pretendojnë se Thaçi ndikoi te dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Joshua Hafetz, deklaroi se posedon dëshmi të shumta kundër Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë.

Sipas Prokurorisë këto përfshijnë nëntë audio-incizime nga qendra e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, urdhra gjyqësorë që pretendohet se janë shkelur dhe ekspertizë që, sipas tyre, dëshmon se dokumentet e gjetura në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë.

Prokuroria gjatë seancës të së premtes shfaqi një audio-incizim, që thuhet se është nga takimi i Hashim Thaçit me Fadil Fazliun më 2 korrik 2023 në Hagë. Sipas ZPS-së, në këtë bisedë ata diskutonin për dëshminë e Rrustem Mustafës – Remit, ku Thaçi kërkoi që ai të dëshmonte shkurt. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, dëgjohet Thaçi, sipas Prokurorisë. Gjithashtu u paraqitën mesazhe të shkëmbyera mes Mustafës dhe Fazliut pas kthimit të këtij të fundit në Kosovë.

Sipas pretendimeve të ZPS-së, Fazliu kishte marrë udhëzime nga Thaçi për t’ia përcjellë Remit lidhur me mënyrën e dëshmimit në Hagë. Prokurori tha se gjatë vizitës së korrikut 2023, Thaçi e kishte cilësuar dëshminë e Remit si vendimtare dhe kishte dhënë udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte ai.

Prokuroria pretendoi gjithashtu se gjatë vizitave në paraburgim, Isni Kilaj kishte marrë udhëzime se si dëshmitari 4, duhej ta ndryshonte dëshminë. Sipas prokurorit, Thaçi kishte nënvizuar pjesë konkrete të dëshmisë paraprake duke treguar saktësisht çfarë  duhej ndryshuar, ndërsa Kilaj kishte mbajtur shënime gjatë takimit.

ZPS pretendon se Thaçi ndikoi edhe te deklarimi i ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi. Këtë, sipas audio incizimeve, ai e bëri gjatë dy vizitave në Hagë të Sami Smakajt, duke i treguar këtij të fundit çfarë duhej Zyrapi të ndryshonte.  

Hafez: Thaçi ka kërcënuar dëshmitarët që t’i shmanget drejtësisë

Prokurori Joshua Hafetz gjatë shpalosjes së fjalimit të tij tha se prokuroria do të dëshmoj përmes provave se Hashim Thaçi kishte në shënjestër dëshmitarët të cilët përbënin rrezik ose kanosje për të.

“Synimi ishte që secili prej këtyre kërcënimeve të neutralizohej me qëllim që Thaçi t’i shmangej drejtësisë”, tha prokurori.

Sipas tij, Thaçi ka përdorur katër të akuzuarit e tjerë për të arritur këtë synim.

“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja (për krime lufte) Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.

Më tej Hafetz akuzoi Thaçin për shkelje të rregullave të paraburgimit dhe konfidencialitetit të DhSK-së, sepse sipas tij, ai e shndërroi atë në "qendër të pengimit". 

"Ai e ktheu objektin e paraburgimit me anë të vizitave të tij me bashkëpunëtorët në një qendër të pengimit dhe në mënyrë të vazhduar i ka shenjestruar dëshmitarët që të kryhet ndërhyrje ndaj tyre duke pëshpëritur urdhra për vizitorët e tij për mënyrën se si duhet të jepin dëshmi dëshmitarët për ta ndihmuar atë”, tha prokurori.

Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu e Kuçi deklarohen sërish të pafajshëm

Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Gjykatësi ka pyetur me radhë të akuzuarit – të cilët më herët janë deklaruar të pafajshëm – nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse ndihen fajtorë ose jo. Ata u deklaruan sërish të pafajshëm.

Në fillim të seancës, Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjatë shpalosjes së aktakuzës, e ngarkoi Hashim Thaçin me 11 pika për kryerje të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.

Prokuroria tha se ai akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Sipas prokurorisë, Thaçi ka tentuar të pengojë persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ka shkelur fshehtësinë e procedurës dhe akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës.

Edhe tre të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, ngarkohen me akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Hajredin Kuçi, në anën tjetër, akuzohet për dy pika të veprës penale të mosbindjes ndaj gjykatës.

“Të akuzuarit shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar që dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët”, tha prokurorja e Specializuar, Kimberly West.

West tha se, sipas saj, kjo sjellje përbën rrezik për sundimin e ligjit dhe kërkoi që dëshmitarët të japin dëshmitë e tyre pa trysni, ndikim apo ndërhyrje.

“Është me rëndësi për trashëgiminë e këtij institucioni që këto fakte të gjykohen dhe të shpallen publikisht, në mënyrë që të dokumentohen të dhëna të vërteta dhe të besueshme. Mbështetja e sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë njëlloj dhe secili është përgjegjës para tij”, deklaroi ajo.

Përveç audioincizimeve, Prokuroria ka paralajmëruar se do të paraqesë edhe prova elektronike, përfshirë të dhëna nga telefonat mobilë të sekuestruar, të cilat, sipas Prokurorisë, konfirmojnë bisedat e incizuara të të akuzuarve, si dhe prova fizike, përfshirë dokumente që lidhen me vënien në shënjestër të dëshmitarëve për ndërhyrje, të cilat u konfiskuan në vendbanimet e disa prej të bashkakuzuarve.

Tre dëshmitarë të Prokurorisë janë planifikuar të japin dëshmi gjatë gjykimit, përfshirë dëshmi ekspertësh në lidhje me prejardhjen e dokumenteve të sekuestruara dhe një dëshmitar që do të dëshmojë lidhur me ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit.

Gjyqtari i Dhomave të Specializuara në Hagë, Christopher Gosnell, tha se dëshmitarët duhet t’i përfundojnë dëshmitë e tyre deri më 6 mars, ndërsa argumentet mbyllëse pritet të paraqiten më 13 mars.

Pas përfundimit të kësaj pjese, ZPS do të vendosë për datën që do të përmbyllë gjithë procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Nisë procesi gjyqësor në Hagë

Ka nisur me vonesë procesi gjyqësor ku do të trajtohen deklaratat  hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë dhe kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.


MË SHUME NGA Lajme