Futbolli ndryshon rregullat për të shpëtuar kohën e humbur dhe simulimet
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka miratuar një paketë ndryshimesh në rregullat e lojës, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 qershor 2026, në kohë për Kupën e Botës 2026.
Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është përshpejtimi i lojës, zvogëlimi i humbjes së kohës dhe eliminimi i simulimeve.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
Rivëniet anësore dhe goditjet nga porta:
Portierët dhe lojtarët do të kenë maksimum 8 sekonda për të kryer rinisjet. Nëse afati tejkalohet, ekipi kundërshtar do të përfitojë një goditje nga këndi, ose rivënia anësore do të rikthehet sipas vendimit të gjyqtarit.
Lëndimet dhe ndërhyrjet mjekësore:
Nëse një lojtar kërkon kujdes mjekësor për më shumë se 8 sekonda, ai duhet të largohet nga fusha për të paktën një minutë. Përjashtim bëhet vetëm në rastet kur faulli rezulton në karton të verdhë ose të kuq, ku lojtari mund të kthehet menjëherë.
Zëvendësimet:
Për të përshpejtuar procedurat, zëvendësimet duhet të kryhen brenda 10 sekondave nga momenti kur shfaqet numri në tabelë. Nëse kjo nuk ndodh, skuadra do të jetë përkohësisht me një lojtar më pak.
Protokolli VAR:
Është futur mundësia për të shqyrtuar kartonët e dytë të verdhë dhe për të revokuar vendimet e gabuara. Gjithashtu, VAR mund të ndërhyjë në rastet kur goditjet nga këndi dhurojnë gabimisht një gol. Kartonët e parë të verdhë nuk do të jenë subjekt shqyrtimi.
Këto ndryshime synojnë të përshpejtojnë lojën, të ulin ndërprerjet strategjike dhe të zvogëlojnë gabimet vendimtare që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.























