Lojtarët e Man United kërkojnë kontratë afatgjatë për Carrick
BKT
Sport

Lojtarët e Man United kërkojnë kontratë afatgjatë për Carrick

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Futbollistët e Manchester United raportohet se janë të interesuar që trajneri i përkohshëm, Michael Carrick, të marrë një kontratë afatgjatë në krye të skuadrës.

Carrick mbetet i pamposhtur që prej se mori drejtimin e ekipit pas shkarkimit të Ruben Amorim më 5 janar.

Trajneri anglez ka kontratë deri në fund të sezonit, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë opsionet për një emërim të përhershëm.

Sipas mediave britanike, një pjesë e madhe e futbollistëve dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë me Carrick edhe në sezonet e ardhshme. Lojtarë me përvojë si Bruno Fernandes, Harry Maguire dhe Luke Shaw thuhet se kanë vlerësuar lart mënyrën e menaxhimit dhe qasjen taktike të tij.

Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Carrick ka sjellë një frymë të re në skuadër, duke u dhënë lojtarëve më shumë liri në fushë dhe duke i inkurajuar të shprehin cilësitë e tyre. Ndryshe nga paraardhësi i tij, që kërkonte disiplinë strikte taktike, Carrick besohet se ka krijuar një ambient më të hapur dhe më motivues.

Po ashtu, futbollistët janë të impresionuar nga njohuritë e tij për lojën dhe përkushtimi ndaj analizës së detajuar, duke ndjekur vazhdimisht zhvillimet në liga të ndryshme.

Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon bordit drejtues. United ka mundësinë të ngjitet në vendin e tretë në tabelën e Premier League nëse arrin fitore sot në “Old Trafford” ndaj Crystal Palace.