Dëshmitari në Hagë pohon se dëshmitë janë dhënë pa ndërhyrje nga të tjerët
BKT
Gjykata Speciale

Dëshmitari në Hagë pohon se dëshmitë janë dhënë pa ndërhyrje nga të tjerët

Valbona Thaçi / RTKLive

(E plotësuar) Dëshmitari i mbrojtur që po dëshmon në Hagë ka thënë se Rrustem Mustafa gjatë intervistës së tij për Prokurorinë ka deklaruar se askush nuk ka ndërhyrë në dëshminë e tij në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte.

Sipas avokatit të Fadil Fazliut, dëshmitari Rrustem Mustafa kishte pohuar se të akuzuarit ishin shokët e tij dhe se do të dëshmonte vetëm për ato që dinte pa u ndikuar nga askush. Pjesëtari i Prokurorisë, që po dëshmon, gjithashtu pohoi se në asnjë fazë nuk ka parë se dikush ka ndërhyrë në dëshminë e Mustafës.

Pyetjet për këtë dëshmitar kryesoi avokati David Young, ndërsa pyetjet e avokatit Iain Edwards, që përfaqëson Isni Kilajn, u zhvilluan në seancë private për publikun.

Dëshmitari pohoi gjithashtu se nuk di për raportin mes Rrustem Mustafës dhe Fadil Fazliut dhe as nëse ata kanë qenë shokë. Ai tha se nuk kishte dijeni për ndonjë marrëdhënie mes tyre dhe se në korrik 2023 në Kosovë dëshmia e Mustafës ishte diskutuar në media. Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi ku shiheshin Fadil Fazliu, Hashim Thaçi dhe Rrustem Mustafa, të cilën ai nuk e kishte parë më parë dhe nuk e dinte se kur ishte bërë.

Dëshmitari gjithashtu konfirmoi se Shukri Buja, Nuredin Ibishi dhe Sokol Bashota kishin bërë të ditur publikisht se janë ose do të intervistoheshin nga Prokuroria. Ai tha se për ta nuk u vendosën masa mbrojtëse për shkak se ishin figura publike dhe kishin dhënë informacion për media më herët.

Për Sylejman Selimin, dëshmitari tha se ai ishte dënuar dhe shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë dhe ishte figurë publike, e njohur si komandant i UÇK-së. Selimi kishte dhënë dëshmi në seancë publike në TPNJ dhe kishte komentuar rolin e tij gjatë luftës në media. Dokumentet lidhur me intervistimin e tij nga Prokuroria në Hagë u pranuan si prova materiale.

Gjithashtu, dëshmitari pohoi se Bislim Zyrapi vetë kishte bërë të ditur për publikun se do të intervistohej nga Prokuroria dhe nuk iu vendosën masa mbrojtëse për shkak se ishte figurë publike. Ai kishte dhënë më parë dëshmi edhe në gjykatat vendore për krime lufte dhe kishte bërë komente publike lidhur me ngjarjet e viteve 1998–1999. Dokumentet lidhur me intervistimin e tij u pranuan gjithashtu si prova materiale.

Seanca vazhdoi me pyetje të ekipeve të tjera të mbrojtjes pas pushimit të drekës.

Dëshmitari i ZPS-së: Nuk kam njohuri për çështjen në fjalë

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku ekipet e mbrojtjes filluan pyetjet e tyre për Dëshmitarin 7.

Ky dëshmitar e kishte nisur dëshminë e tij nën masa mbrojtëse më 27 shkurt, në ditën e hapjes së gjykimit.

Pasi Prokuroria përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit, me kundërpyetje vijoi mbrojtja e Hashim Thaçi, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

Dëshmitari, i cili është pjesë e stafit të Prokurorisë, u pyet nga avokatja për njohuritë që ka lidhur me këtë çështje gjyqësore. Ai deklaroi se nuk e ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe as atë të mbrojtjes në këtë rast.

Megjithatë, theksoi se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje, si dhe në dokumentet e rastit të Thaçit për krime lufte.

Pas kësaj, me kërkesë të avokates Menegon, seanca kaloi në pjesë private për publikun.

Pas rikthimit të seancës nga pjesa private në atë publike, dëshmitari deklaroi se janë kryer disa hetime lidhur me këtë vepër penale.

Sipas tij, të gjitha këto hetime lidhen me rastet e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

“Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë. Nuk e dija sa çështje do të përfundonin konkretisht për pengim të drejtësisë. Në përfundim, patëm vetëm tre raste dhe nuk mund t’ua tregoj se sa burime u përdorën për çështjet 10, 11 apo 12. Të gjitha ishin të lidhura me çështjen 06”, tha dëshmitari.

Ai pohoi gjithashtu se dëshmitarët e çështjes 06 kontaktoheshin rregullisht nga ZPS-ja për të qëndruar të informuar mbi ecurinë e rastit për krime lufte.

“E saktë”, konfirmoi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari deklaroi se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë rast.

“A është e saktë që Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me këtë ndërhyrje?”, e pyeti avokatja e Thaçit, Sophie Menegon.

Dëshmitari konfirmoi: “Po, jam në dijeni”.

Pjesëtari i Prokurorisë që po dëshmon sot në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë sqaroi arsyet pse Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, nuk iu vendosën masa mbrojtëse si dëshmitar në çështjen për krime lufte ndaj Thaçit.

Dëshmitari, i mbrojtur dhe i identifikuar me kodin 7, tha se Mustafa kishte dëshmuar më parë në mënyrë të hapur dhe ishte figurë e njohur në Kosovë.

“Sot më herët shpjegova se si vendos prokurori për masat mbrojtëse: nëse personi është publik dhe i njohur, dhe nëse ka dhënë më parë dëshmi në seanca publike në gjykata ndërkombëtare ose vendore. Për zotin Mustafa, ai ka dëshmuar më parë hapur dhe është figurë shumë e njohur në Kosovë”, tha dëshmitari.

Avokatja Menegon theksoi se Mustafa kishte dhënë dëshmi në korrik 2023 në çështjen për krime lufte dhe paraqiti një dokument që tregon se në vitin 2018, avokati Arianit Koci kishte njoftuar se klienti i tij do të intervistohej nga Prokuroria në janar 2019. Pavarësisht kundërshtimeve të Prokurorisë për relevancën, dokumenti u pranua si provë pas kërkesës së Menegon.

Dëshmitari gjithashtu pohoi se disa dëshmitarë në çështjen për krime lufte, në mënyrë vullnetare, e kanë bërë publike statusin e tyre si dëshmitarë të Prokurorisë.

“Ka ndodhur në çështjen 06”, tha ai, duke konfirmuar gjithashtu se disa dëshmitarë kishin deklaruar se ishin intervistuar ose do të intervistoheshin nga Prokuroria. Kur u pyet nëse dëshmitarët kanë të drejtë ta ndajnë këtë informacion, ai tha se kjo është një vendim personal i tyre.

Seanca pasuese u zhvillua pjesërisht me dyer të mbyllura për publikun, me kërkesë të avokates Menegon.

“Në këtë çështje, a pajtoheni se sjellja e pretenduar e të akuzuarve nuk e ka penguar Prokurorinë të kontaktojë ose intervistojë ndonjë dëshmitar?” pyeti Menegon.

Dëshmitari u përgjigj shkurt: “Nuk e di”.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale