Kane, 45 gola me Bayernin, frikëson rivalët e Championsi-t
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Harry Kane po vazhdon të shkëlqejë në futbollin evropian, edhe pse shpesh hutohemi pas yjeve si Erling Haaland apo Kylian Mbappe.
Sulmuesi anglez realizoi dopietën në përballjen e fundit të Bayern Munich ndaj Borussia Dortmund, duke ndihmuar skuadrën e tij të afrohet më shumë drejt titullit në Bundesliga.
Që nga fillimi i sezonit, Kane ka shënuar 45 gola me Bayern, një shifër që alarmon kundërshtarët e Ligës së Kampionëve si Atalanta dhe mbrojtësin shqiptar Berat Gjimshiti.
Trajneri i Atalantës, Palladino, duhet të gjejë mënyra për ta mbajtur Kane larg zonës një-kundër-një, veçanërisht kur ai shoqërohet nga lojtarë të shpejtë dhe teknikë si Jamal Musiala, Luis Diaz apo Samuel Olise.
Sulmuesi udhëheq edhe klasifikimin për Këpuca e Artë, duke lënë pas yje si Mbappe dhe Haaland, një arritje e madhe për një lojtar 32-vjeçar.
Megjithatë, pavarësisht suksesit individual, Kane ka fituar vetëm dy trofe skuadre me Bayern: titullin kampion dhe Superkupën e Gjermanisë, të dy në vitin 2025. Një tregues se futbolli mbetet një sport kolektiv, ku individualiteti nuk mjafton për sukses total.























