Abdixhiku: E shoh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik
Valmira Saraçi|RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin, Albin Kurti, ka thënë se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik për zgjedhjen e presidentit të shtetit.
“E shoh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive shqiptare. Nuk ka ndonjë kandidat specifik në këtë fazë që na është prezantuar. Në këtë periudhë me autorizimet që kam marrë nga Kuvendi i LDK-së, do t’i kthehem Grupit Parlamentar dhe do t’i raportojë e njoftoj gjithë ata për zhvillimet e fundit politike dhe diskutimet që kam pasur si kryetar i LDK-së me tri partitë politike”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se, LDK me 15 deputetë as nuk mund të përcaktojë emër për kandidat në këtë fazë dhe as nuk mund të nominojë dikë për shef shteti.
“E shoh të vështirë konsensusin, nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar, nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK me 15 deputetë as nuk mund të përcaktojë emër për kandidat në këtë fazë dhe as nuk mund të nominojë dikë, sepse duhet 30 nënshkrime në këtë fazë. Le të presim deri me datën 5 mars ditën e Epopesë së UÇK-së për të kuptuar se çfarë fati do të ketë institucioni më i lartë i vendit”, shtoi ai.
Abdixhiku tha se është e domosdoshme të ketë një emër që përfaqëson unitetin popullor e të mos jetë zgjatim i qeverisë.
“Por, në këtë fazë duket se konsensusi politik brenda partive është i pamundur. Natyrisht kur nuk ka konsensus duhet të ketë garë, por garë LDK nuk e preferon si të tillë, sepse rezultati dihet. Kur ka garë e nuk ka konsensus është vështirë të bëhen 80 vota. Gara ka kuptim kur janë 61 vota në dispozicion, por kur janë 81 duhet konsensus e unitet”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku tha se nëse LVV e PDK vendosin që të ketë garë për presidentin, atëherë, sipas tij, do të shkohet në zgjedhje.
“Për garë LDK nuk beson se ka zgjidhje, është procedurë e parapërcaktuar për të dështuar. Nëse vendosë LVV dhe PDK të ketë garë atëherë shkojmë në zgjedhje, sepse se di si do t’i bëjnë 80 vota, por konsensusi bën president. LDK ka qenë e angazhuar të gjejë president, emër konsensual, jo zgjatim të qeverisë, të mos jetë vazhdimësi e qeverisë, sidomos për një qeveri që ka 51 për qind të votave, presidenti duhej të ishte një kundërbalancë. Nuk ka emër, nuk ka proces konsultativ tutje sa po kuptoj, tani duhet të presim dy tre ditët e ardhshme vendimin e kryeministrit Kurti”.
I pyetur nëse LDK ka votë për Vjosa Osmanin, Abdixhiku tha se nuk kanë qëndrim për emra të përveçëm, por tha se asnjëherë nuk kanë thënë se kanë apo nuk kanë votë për presidenten aktuale.
I pyetur nëse ka pasur takim me Osmanin, Abdxhiku u përgjigj shkurt. “Natyrisht që jam takuar, si s’jam takuar”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se kandidati për president bëhet me konsensus, siç ka qenë sipas tij, historia politike në Kosovë.
“Unë do të prisja që ne partitë politike të diskutonim për emra, por s’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte as vullnet për konsensus”, tha ai.
Kreu i LDK-së tha se në këtë fazë nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit.
“Nuk kemi pasur refuzim asnjëherë, por nuk është prezent një emër i tillë, kaq”, deklaroi Abdixhiku.























