Muzeu i Mitrovicës anëtarësohet në rrjetin evropian NEMO
Shqipe Gashi|RTKlive
Muzeu i Mitrovicës është anëtarësuar në Network of European Museum Organisations (NEMO), rrjet që përfshin mbi 180 muze evropiane nga shtete të ndryshme.
Në një lidhje direkte në programin e mëngjesit në Radiotelevizionin e Kosovës, drejtoresha e muzeut, Nora Prekazi Hoti, foli më gjerësisht për rëndësinë e këtij anëtarësimi.
“Është një lajm i madh për Kosovën anëtarësimi në rrjetin NEMO, rrjet ky që ka brenda mbi 180 muze evropiane nga shtete të ndryshme. Është moment i rëndësishëm, një shënim i bukur profesional që besoj se do të hapë shtigje të reja për ne dhe për muzeologjinë e Kosovës”, tha Prekazi Hoti.
Sipas saj, NEMO është një rrjet organizatash i themeluar në vitet ’90, me qëllim shkëmbimin e partneriteteve dhe përvojave, si dhe hapjen e dyerve profesionale për institucionet muzeore në Evropë.
Drejtoresha foli edhe për aktivitetet që zhvillon muzeu në kuadër të programit edukativ. Ajo bëri të ditur se çdo muaj organizohen punëtori të ndryshme për nxënës, përfshirë punëtori vizatimi për më të vegjlit dhe punëtori me argjilë apo mjete të tjera pune për nxënësit më të rritur.
Sipas saj, aktivitet i veçantë është edhe grupi i thurjes, i cili mbahet çdo muaj dhe tashmë ka mbi një vit që zhvillohet në ambientet e muzeut, duke bashkuar gjenerata të ndryshme, ku persona në pension ndihmojnë të rinjtë.
Po ashtu, në kuadër të programeve edukative zhvillohet edhe iniciativa “Muzeu Lëvizës”, si dhe aktivitete të tjera në vazhdimësi.
Anëtarësimi në NEMO vlerësohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e muzeologjisë në Kosovë.























