Gjyqtari Gosnell shtyn afatin për dorëzimin e parashtrimeve
Donika Sherifi|RTK
(Plotësuar, 14:20) Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dëshminë e tij, dëshmitari i dytë i prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit e Bashkim Smakajt për pengim të drejtësisë.
Eksperti i kriminalistikës foli për raportet që i ka dhënë prokurorisë dhe gjykatësve hetues, për të cilat tha se asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi para ndonjë gjyqtari për mikropikat.
Duke u bazuar në përgjigjet e tij ndaj palëve, avokati i Isni Kilajt, Joe Holmes ka thënë se dëshmia e këtij dëshmitari nuk është e plotë.
“Kemi një kërkesë të shkurtër që ka të bëjë me dëshmitarin 08. Dhe përderisa jemi drejt fundit të dëshmisë së dëshmitarëve të Prokurorisë ka disa çështje të tjera të cilat u përmendën nga dëshmitari 08 dhe ne parashtrojmë që lidhen më shumë me drejtësinë e procesit dhe pranimin e dëshmisë së tij, sepse ne mendojmë dhe parashtrojmë që kjo është një dëshmi e pa plotë. Këtë e dimë se shumë prej pyetjeve të rëndësishme të bëra prej ekipeve të mbrojtjes, dëshmitari nuk pati mundësi që t’i jepte përgjigje. Kështu që në thelb, ne kërkojmë shtatë ditë në mënyrë të tillë që të dorëzojmë parashtrime lidhur me këtë element në mënyrë të tillë që të trajtojmë aktekspertizën e ekspertit por gjithashtu edhe të ju japim mundësinë neve dhe ekipeve të tjera të mbrojtjes që të shprehën në këtë pikë”, tha Holmes.
Me këtë edhe përfundoi dëshmia e këtij eksperti, derisa gjyqtari tregoi për vendimin që mori ndaj kërkesës së mbrojtjes.
“Kërkesa është të shtyhet afati prej 2 në 7 ditë dhe ZPS ka kërkuar shtyrje të ngjashme, nëse kërkojmë këtë, afati do të jetë e marta e javës tjetër që i bie 6 ditë e jo 7 ditë dhe ZPS duhet të ketë po ashtu 6 ditë të përgjigjet”, tha gjykatësi Chrsitoph Gosnell, gjyqtar.
Pas kësaj, në sallë erdhi dëshmitari i tretë i prokurorisë Chrisopher Kelly, i cili tha se aktualisht është kontraktor me kohë të pjesshme i ZPS-së për hetime kriminalistike digjitale.
Ai shtoi se rreth 26 vjet ka përvojë punë në këtë fushë. Tha se përveç ekzaminimeve kompjuterike dhe telefonike, kjo punë përfshinë edhe programimin me “cellebrite” dhe “magnet”.
Seanca për këtë rast vazhdon edhe të enjten me dëshminë e dëshmitarit të tretë që është dhe i fundit i Prokurorisë së Specializuar.
Seanca në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’, pjesërisht private
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar 11:00) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur seanca gjyqësore në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, lidhur me akuzat për administrimin e drejtësisë. Gjatë seancës ka filluar dëshminë dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Koen Herlaar, i cili është i punësuar në Institutin për Kriminalistikë të Holandës.
Mbrojtja e Bashkim Smakajt, e përfaqësuar nga avokati Jonathan Elystan Rees, ka vazhduar pyetjet ndaj dëshmitarit Herlaar. Pas kësaj, prokurori Joshua Hafetz propozoi kalimin e seancës në privatësi, propozim i cili u miratua nga gjyqtari i vetëm i rastit, Christoph Barthe Gosnell.
Ky është dëshmitari i dytë në këtë proces gjyqësor, i cili kishte filluar dëshminë një ditë më parë. Gjatë seancës, mbrojtja e Isni Kilajt, e përfaqësuar nga avokati Joe Holmes, është fokusuar në ekspertizën e dëshmitarit për analizimin e mikropikave.
Koen Herlaar deklaroi se ka përgatitur ekspertiza për gjykatës në Holandë dhe se raportet e tij janë pjesë e dokumentacionit gjyqësor, duke shtuar se nuk i është kërkuar asnjëherë të dëshmojë me gojë lidhur me këto raporte.
Ndërkohë, seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon.
Seanca në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, ka nisur seanca gjyqësore në rastin “Thaçi dhe të tjerët” lidhur me akuzat për administrimin e drejtësisë. Gjatë kësaj seance ka filluar dëshminë dëshmitari i dytë i Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Bëhet fjalë për Koen Herlaar, i cili është i punësuar në Institutin për Kriminalistikë të Holandës.
Dëshmia e ekspertit të kriminalistikës po zhvillohet pjesërisht në seancë private. Pas prokurorisë, dëshmitari, të martën, u mor në pyetje nga mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve lidhur me dokumentet e analizuara të marra nga të akuzuarit, ndërsa seanca në pjesën më të madhe të kohës ka qenë e mbyllur për publikun.
Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku pritet dëshmia e dëshmitarit të ZPS-së, Koen Herlaar.
Në vazhdën e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë, të martën iu përgjigj pyetjeve dëshmitari i dytë i prokurorisë, eksperti i kriminalistikës nga Instituti i Kriminalistikës së Holandës.
Ai u pyet për analizimin e disa dokumenteve të printuara që u përdorën si prova nga prokuroria.
Pas prokurorisë, dëshmitari, dje u mor në pyetje nga mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve lidhur me dokumentet e analizuara të marra nga të akuzuarit, ndërsa seanca në pjesën më të madhe të kohës ka qenë e mbyllur për publikun.
Në çështjen gjyqesore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuit të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, të martën u mor vendim që për katër të fundit të ndryshohen kushtet e lirimit me kusht.
Të akuzuarëve iu lejua që brenda hapësirave të DhSK-së t’iu lejohet të kenë komunikim mes vete dhe të diskutojnë për çështjen, por duke pasur parasysh që çështje konfidenciale nuk duhet të diskutohen në hapësira publike.
Gjykimi pritet të vazhdojë edhe sot me dëshminë e dëshmitarit Koen Herlaar.
Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.
Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.























