RTK transmeton cikël dokumentarësh për Epopenë e UÇK-së
Shqipe Gashi|RTKlive
Radiotelevizioni i Kosovës do të sjellë këtë javë sjell një cikël dokumentarësh të veçantë në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së, përmes emisionit “Gjurmë”.
Të enjten në orën 22:00 do të transmetohet dokumentari “Ai është i gjallë”. Dokumentari trajton shfaqjen “Ai është i gjallë", e cila ishte inskenuar pas rënies heroike të komandantit Adem Jashari.
Shfaqja ishte luajtur gjatë luftës dhe, sipas ideatorëve dhe organizatorëve, kishte për qëllim ngritjen e moralit të ushtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për këtë organizim artistik dhe për rrjedhat e asaj kohe flasin vetë protagonistët e ngjarjes, duke sjellë dëshmi të drejtpërdrejta mbi rolin e artit në kohë lufte.
Të premten, në orën 21:00 do të shfaqet dokumentari “Epopeja e UÇK-së, kujtesa kolektive”. Ky dokumentar trajton dimensionin e kujtesës kolektive për Epopenë e UÇK-së dhe rëndësinë e ruajtjes së saj ndër breza.
Ndërkaq, po të premten, në orën 22:00 do të transmetohet dokumentari “Gjurmët e Lirisë”, i cili sjell historinë e familjes Jashari.
Ndër të intervistuarit është edhe Hava Gashi, fëmija i parë i Shaban dhe Zahide Jasharit, motra e komandantit Adem Jashari dhe Hamëz Jashari. Ajo ka rrëfyer ekskluzivisht për RTK-në në këtë dokumentar, pavarësisht se familja prej kohësh nuk është prononcuar për media.
Përmes këtij cikli dokumentarësh, RTK synon të sjellë dëshmi autentike dhe reflektim mbi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.























