Tre të arrestuar në Kosovë gjatë operacionit kundër krimit kibernetik
BKT
Foto: Policia e Kosovës
Lajme

Tre të arrestuar në Kosovë gjatë operacionit kundër krimit kibernetik

Valbona Thaçi / RTKLive

Republika e Kosovës mori pjesë në një operacion ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, i koordinuar nga EUROPOL, që përfshiu disa shtete, dhe përfundoi me arrestimin e tre personave në vend.

Operacioni në Kosovë u zhvillua më 3 mars 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në lokacionet e Vushtrrisë, Obiliqit dhe Ferizajt. Personat e ndaluar për 48 orë, A.R., A.K. dhe R.H., dyshohen për “hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik” dhe “vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”, njofton Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit hetimet tregojnë se të dyshuarit, gjatë periudhës 2023–2025, kanë përdorur njohuritë teknologjike për të marrë në mënyrë të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale, të cilat më pas i publikuan në platformën online “LEAKBASE.IO” për shitje dhe përfitim material.

Si prova materiale janë sekuestruar tre laptopë, pesë shtëpiza kompjuteri, gjashtë telefona mobilë dhe dy pajisje memorizuese.

Operacioni është pjesë e aksionit ndërkombëtar OP LEAK, i zhvilluar në mënyrë të koordinuar në SHBA, Britani të Madhe, Australi, Gjermani, Kosovë, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.

Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës theksuan përkushtimin e tyre në luftën kundër krimit kibernetik dhe forcimin e bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare të sigurisë.


MË SHUME NGA Lajme