Imeri thotë se duhet të konsultohet Kushtetuta
BKT
Lajme

Imeri thotë se duhet të konsultohet Kushtetuta

Kaltrina Rexhepi|RTK

Politologu Dorajet Imeri tha se me përfundimin e kohës së përcaktuar për zgjedhjen e presidentit, çështja bëhet kushtetuese dhe duhet të konsultohet Kushtetuta, pasi ka paqartësi juridike.

Ai tha se fakti që Lëvizja Vetëvendosje e ka lënë afatin edhe për nesër për të ofruar mundësinë e propozimit të një kandidati tjetër nga opozita, është një shpresë se ata mund ta tërheqin kandidaturën e Glauk Konjufcës për president.

“VV po pret edhe nesër që të ketë reflektim nga partitë opozitare që të bëhet një konsensus mes partive që të mos shkohet në zgjedhje, sepse në bindjen time nuk ka subjekt politik që do të shkojë në zgjedhje”, tha Imeri në RTK Prime.

Sipas tij, partitë opozitare, sidomos LDK-ja, janë në një proces që “s’janë këndellë” nga humbja që pësuan në zgjedhjet e fundit dhe kanë probleme të brendshme. Po ashtu, sipas tij, as PDK-ja nuk është e gatshme për zgjedhje të reja.

“Partitë opozitare gajlen më të madhe që e kanë pasur kohëve të fundit është fati i marrëdhënieve të Kurtit dhe Osmanit dhe jo gjendja e tyre”, shtoi Imeri.

Ai tha se arsyeja pse VV nuk e përmend Vjosa Osmanin si kandidate është se partitë opozitare do ta kundërshtonin dhe do të reagonin fuqishëm, pasi sipas tij ato si parti kurrë nuk kanë pasur vullnet për ta zgjedhur Osmanin edhe për një mandat presidente.

“Partitë e opozitës nuk janë të gatshme me e zgjedhë Presidentin”, vlerësoi Imeri.


MË SHUME NGA Lajme