Përfundon dëshminë dëshmitari i fundit i ZPS-së
Afet Bela/RTKLive
(E plotësuar, ora 12:00) Pas pyetjeve të ZPS-së dhe kundërpyetjeve të ekipeve të Mbrojtjes së Thaçit dje dhe Smakajt këtë mëngjes, dëshmitari Kristofer Kelli sot përfundoi dëshminë e tij. Ai ishte dëshmitari i fundit i ZPS-së që dha dëshmi në gjykatë.
Pas dëshmive të dëshmitarëve, palët trajtuan aspekte në lidhje me planifikimin e afateve dhe hapat e mëtejshëm në këtë proces. Në një urdhër gojor, Gjykatësi i Vetëm caktoi afatet e mëposhteme, ku ndër të tjera:
ZPS-ja duhet të përfundojë paraqitjen e provave të saj deri më 18 mars 2026. ekipet e Mbrojtjes njoftimet e tyre sipas rregullës 130 (rrëzimi i akuzave) duhet t’i dorëzojnë deri më 19 mars 2026. Çdo mocion në mbështetje të këtyre njoftimeve duhet të dorëzohet deri më 25 mars 2026, ZPS-ja duhet ta dorëzojë përgjigjen e saj ndaj këtyre mocioneve deri më 1 prill 2026.
Seanca e ditës së nesërme (6 mars) anulohet dhe gjykimi shtyhet deri në një njoftim tjetër.
LIVE|Seanca në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, ka nisur seanca gjyqësore në rastin “Thaçi dhe të tjerët” lidhur me akuzat për administrimin e drejtësisë. Gjatë kësaj seance ka filluar dëshminë dëshmitari i tretë i ZPS-së, Christofer Kelly, i cili aktualisht është kontraktor me kohë të pjesshme i ZPS-së, hetime kriminalistike digjitale.
Christopher Kelly, të mërkurën, ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit. Duke u bazuar në përgjigjet e tij ndaj palëve, avokati i Isni Kilajt, Joe Holmes ka thënë se dëshmia e këtij dëshmitari nuk ishte e plotë.
Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë.
Sot vazhdon dëshminë dëshmitari i tretë i ZPS-së, Christofer Kelly, i cili aktualisht është kontraktor me kohë të pjesshme i ZPS-së, hetime kriminalistike digjitale.
Christopher Kelly i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe merret me hetimin e forenzikës digjitale, dje ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit.
Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.
Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.
Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.
Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.























