Asllani: Familja Jashari e shndërroi dhimbjen në histori
BKT
Lajme

Asllani: Familja Jashari e shndërroi dhimbjen në histori

Valbona Thaçi / RTKLive

Deputeti Artan Asllani nga Grupi Multietnik, në 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës theksoi rëndësinë e datave të marsit 1998 dhe sakrificës së familjes Jashari.

Ai u shpreh se “e enjtja e pranverës së vitit 1998 nuk ishte si ditët tjera, ishte ditë që fali frymën e historisë dhe vuri provën e ndërgjegjes së një populli dhe kjo ditë ishte sakrificë që mori formë, që mori qëndresë dhe mori zë dhe liria filloi të shkruhej me shkronja të përgjakura por të pavdekshme.”

Deputeti shtoi se sakrifica e familjes Jashari dhe e komandantit legjendar Adem Jashari është themel i moralit të lirisë dhe identitetit kombëtar. “Ata nuk mbrojtën vetëm një prag por mbrojtën dinjitetin e një kombi, nuk mbrojtën vetëm një shtëpi por mbrojtën të drejtën dhe lirinë për të jetuar,” tha ai.

Ai vuri në dukje se “Familja Jashari e shndërroi dhimbjen në histori dhe historinë në identitet, sakrifica e tyre ishte më shumë se trimëri, ishte vetëdije se liria nuk dhurohet por fitohet. Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pandashme me mbiemrin Jashari.”

Deputeti theksoi se kjo sakrificë nuk i përket vetëm së kaluarës, por është pjesë e ndërgjegjes së përbashkët të qytetarëve. “Ne sot shijojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ecim të lirë, flasim të lirë, zgjedhim të lirë, ndërsa ata që e bënë të mundur këtë ditë nuk janë fizikisht mes nesh,” tha ai.

Në përfundim, deputeti bëri apel për respekt dhe kujtim të përjetshëm të familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë: “Lavdi të përjetshme familjes Jashari, lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë, qoftë i amshuar kujtimi i tyre, rroftë Republika e Kosovës.”


MË SHUME NGA Lajme