S’ka kuorum, ndërpritet seanca për zgjedhjen e presidentit
BKT
Në Fokus

S’ka kuorum, ndërpritet seanca për zgjedhjen e presidentit

Gentiana Kelmendi/RTKlive

(Plotësuar 23:09) Është mbyllur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm për zhvillimin e procesit të votimit.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sqaroi se në raundin e parë dhe të dytë të votimit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë, në mënyrë që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Për shkak të mungesës së këtij numri deputetësh në sallë, seanca u ndërpre pa u zhvilluar votimi për zgjedhjen e presidentit.

“Në sallë janë 66 deputetë. Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar mëtutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra thirrje deputetëve që mungojnë që të vijnë, të jenë të pranishëm në përputhje me kërkesat e Kushetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë situate është se ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk i kemi 2/3 e deputetëve, rrjedhimisht nuk mund të vazhdojmë me votimin e raundeve. Sepse siç e dini në votimin e parë dhe të dytë duhet të marrin pjesë 80 deputetë, e në raundin e tretë së paku 61 deputetë. Me këtë rast po e ndërpresë këtë seancë dhe natyrisht se do ta vazhdojmë në qoftë se plotësohen kushtet”, tha kryeparlamentarja Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje paraprakisht prezantoi dy kandidatë për postin e presidentit, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun. 

Seanca e jashtëzakonshme, Konjufca e Kollçaku kandidatë për president

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, e cila po zhvillohet pa praninë e deputetëve të opozitës, Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar dy kandidatë për këtë post.

Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, para deputetëve ka propozuar ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për president të vendit, duke paraqitur edhe biografinë dhe angazhimin e tij politik ndër vite.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka prezantuar kandidaturën e dytë, atë të deputetes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Gjatë fjalës së tij, Abrashi theksoi se Mulhaxha-Kollçaku është zgjedhur deputete në gjashtë legjislatura të Kuvendit të Kosovës, ndërsa me profesion është doktoreshë dhe specialiste e epidemiologjisë.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon sonte në ora 23:59.

Fillon seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, më pak se dy orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në seancë janë 66 deputetë, derisa mungojnë deputetët e opozitës. 

Në nisje të seancës, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka kërkuar që edhe deputetët të hyjnë në sallë, sepse sipas saj kështu e kërkojnë aktgjykimet  e Gjykatës Kushtetuese.

“Ju njoftoj se unë nuk kam marrë asnjë njoftim për deputetët të cilët sot nuk janë të pranishëm, për arsyet pse ata mungojnë”, ka thënë Haxhiu, teksa ka thënë se bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obliguar të marrin pjesë në seancë.

Kandidatë për president janë dy kandidatë të nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci ka prezantuar kandidaturën e Glauk Konjufcës, duke paraqitur edhe biografinë e tij para deputetëve, derisa kandidaturën e Fatmire Mulhaxhës Kollçakut e ka paraqitur deputeti Artan Abrashi.


MË SHUME NGA Në Fokus