Hamza: PDK e hapur për çdo datë zgjedhjesh dhe vendim të Kushtetueses
BKT
Lajme

Hamza: PDK e hapur për çdo datë zgjedhjesh dhe vendim të Kushtetueses

Shqipe Gashi|RTKlive

Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se partia e tij do ta pranojë secilën datë që caktohet nga presidentja, si dhe çdo vendim që mund të dalë nga Gjykata Kushtetuese. Këto deklarata i bëri pas takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Hamza tha se PDK do të respektojë çdo vendim që mund të marrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me çështjet që janë dërguar për shqyrtim në këtë institucion. Ai theksoi se partia e tij tashmë ka shprehur qëndrimin e saj dhe është në dijeni se disa shkresa janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse ato janë të pranueshme apo jo për trajtim.

Sipas tij, çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese deri më tani është respektuar dhe zbatuar nga PDK-ja dhe kështu do të veprohet edhe në këtë rast. Ai u shpreh se beson që presidentja Vjosa Osmani i ka analizuar mirë veprimet e saj dhe ka vepruar në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë kushtetuese.

Megjithatë, Hamza theksoi se vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese do të jetë i pranueshëm për Partinë Demokratike të Kosovës. “Ne mund ta komentojmë, por interpretimi i Kushtetutës i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Hamza tha se partia ka qenë konstruktive dhe e hapur gjatë gjithë procesit, duke u përpjekur të gjendet një zgjidhje që i shërben vendit. Megjithatë, Hamza shprehu keqardhje për situatën aktuale që çoi në organizimin e zgjedhjeve të reja.

“Ne ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, ku diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. Unë e shpreh keqardhjen që kemi ardhur deri në këtë moment. Nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë se një alternativë. Përgjegjësia kryesore, normalisht, i bie partisë fituese, partisë më të madhe, sepse ka mundur t’i japë vendit president,” tha Hamza.

Ai kujtoi historikun e zgjedhjes së presidentit dhe përpjekjet e partisë së tij për bashkëpunim.

“Ne e dimë në të kaluarën si ka shkuar zgjedhja e presidentit. Historikisht ka ndodhur me marrëveshje politike. Ne si parti demokratike kemi qenë mjaftueshëm konstruktivë dhe të hapur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme që vendit t’i jepet president. Unë nuk kam vendosur vija të kuqe asnjëherë në bashkëpunim me asnjë subjekt politik,” shtoi ai.

Hamza gjithashtu theksoi gatishmërinë e partisë për dialog dhe përfshirje në të gjitha takimet, me qëllim sigurimin e stabilitetit institucional.

“Kam folur që ka mundësi edhe për marrëveshje politike edhe para se të krijohet qeveria. Nuk e kemi pritur askënd te dera, mirëpo nuk kemi qenë refuzues as për këtë çështje. U jam përgjigjur të gjitha ftesave për takime, nuk kam shkuar në detaje se ku po mbahet takimi, kush po bën ftesa e kush çfarë po bën. Qëllimi ka qenë që vendit t’i japim president dhe të ketë stabilitet politik institucional dhe të mos vazhdohet me këto bllokada”, tha Bedri Hamza.


MË SHUME NGA Lajme