Kurti: Kosova është zemra e shqiptarisë
Kimete Kasumi/ RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, tha se nuk është as ekzagjerim dhe as mburrje kur thuhet se Kosova është zemra e shqiptarisë.
Sipas tij, askund më shumë se në Kosovë nuk është sulmuar aq egërsisht qenia shqiptare gjatë gjithë shekullit XX.
Ai theksoi se pikërisht për këtë pjesë të atdheut janë hartuar dhe zbatuar jo një, por dyzina elaboratesh për zhdukjen dhe përzënien e shqiptarëve.
Kurti shtoi se askund më shumë se në Kosovë nuk ka qenë më e gjatë, më e fuqishme dhe më këmbëngulëse qëndresa shqiptare për identitetin, lirinë dhe tokën e vet.
Ai theksoi gjithashtu se Kosova e ka qendrën e saj në Drenicë, aty ku, sipas tij, trimat dhe heronjtë marrin përmasën e legjendës, ndërsa flakët, plagët dhe çdo kryengritje përgatisin brezin e ri të kryengritësve.
“Jasharët ishin UÇK para se të formohej UÇK-ja. Ata ishin gati gjithnjë për fillimin e luftës çlirimtare. Ademi, Hamza e baba Shaban, me ta marrë pushkën, e dinin se nuk ka kthim mbrapa, se paqja për ta do të vinte vetëm kur Kosova do të ishte e lirë, se ata mund të mos e mbërrinin e ta shikonin Kosovën e lirë, mirëpo ata vetë tashmë ishin të lirë sepse nuk do të nënshtroheshin”, tha Kurti.
“Flijimi i familjes Jashari ishte flakadani që e përhapi luftën çlirimtare anembanë Kosovës. Ishte ngjarja që ndau në dysh rrjedhën e historisë. Pas flijimit të Jasharëve në shtëpinë e tyre në Prekaz, shqiptarët e kuptuan që ecja për marshim nuk ndalej dot më”, shtoi ai.























