Opera e Kosovës sjell mbrëmje koncertale më 7 mars në Prishtinë
Kimete Kasumi/ RTKlive
Nesër (e shtunë) 7 mars Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës do të sjellin një mbrëmje të veçantë koncertale. Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, me fillim nga ora 19:00 në Prishtinë .
Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, në këtë koncert do të performojnë si soliste pianistet Elizabeta Qarri dhe Artemida Qarri, në një bashkëpunim të veçantë për dy piano, kor dhe orkestër. Programi i mbrëmjes ndërthur krijimtarinë shqiptare bashkëkohore me repertorin ndërkombëtar, duke sjellë një përvojë të pasur artistike për publikun.
Pianistja Artemida Qarri konsiderohet një nga emrat më aktivë të skenës koncertale shqiptare. Ajo njihet për virtuozitetin, ndjeshmërinë interpretative dhe saktësinë teknike, duke ndërtuar një profil artistik të dallueshëm në interpretimin e muzikës klasike dhe bashkëkohore.
Ajo ka performuar në skena ndërkombëtare në Itali, Francë, Suedi, Norvegji, Izrael dhe Danimarkë, ndërsa si soliste ka bashkëpunuar me Filharmoninë e Kosovës, Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut dhe Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe me dirigjentë dhe artistë të njohur ndërkombëtarë.
Gjithashtu, edhe pianistja dhe profesoresha universitare Elizabeta Qarri do të performojë në piano së bashku me Orkestrën dhe Korin e Operës së Kosovës.
Si pianiste, Qarri ka performuar në skena ndërkombëtare në Finlandë, Zvicër, Norvegji, Kroaci, Suedi dhe Danimarkë, duke prezantuar një repertor të pasur dhe interpretim të rafinuar artistik.
Ndërkohë, dirigjenti Edon Ramadani është një nga figurat aktive të skenës muzikore në Kosovë.
Gjatë karrierës së tij, Ramadani ka dirigjuar një repertor të gjerë kameral, koral, orkestral dhe vokalo-instrumental me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Johann Sebastian Bach, Joseph Haydn, Wolfgang Amadeus Mozart, Ludwig van Beethoven, Franz Schubert, Gabriel Fauré dhe Carl Orff, duke performuar në vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.
Në vitin 2024 ai dirigjoi edhe premierën historike në Kosovë të operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut” nga kompozitori Rauf Dhomi.
Aktualisht, Ramadani është dirigjent permanent i Korit dhe Orkestrës së Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Orkestrës Kamerale “New Born”, Orkestrës Frymore “Prizreni” dhe Korit Kameral “Dardanica”.























