Kosova humb edhe ndeshjen e dytë nga Finlanda
Uran Krasniqi / RTKLive
Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave është mposhtur nga Finlanda me rezultat 27:29 në ndeshjen vendimtare për vendin e tretë në grup.
Vajzat e Kosovës kanë luftuar deri në fund, duke zhvilluar një ndeshje të fortë e të barabartë, por në momentet vendimtare finlandezet janë treguar më të sakta dhe kanë arritur ta sigurojnë fitoren.
Pas përballjes së fortë të zhvilluar të enjten në Vantaa, e cila kishte përfunduar pa pikë për Kosovën, hendbollistet kosovare kanë synuar fitore në Prishtinë për të mbetur në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian 2026.
Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së katërt të fazës së dytë dhe të fundit të kualifikimeve për Evropian. Kosova është pa pikë në një grup shumë të fortë ku bëjnë pjesë edhe Franca dhe Kroacia.
Ndeshja ka nisur më mirë për Finlandën, e cila ka krijuar epërsi të hershme 4:1. Megjithatë, Kosova ka reaguar fuqishëm pas aktivizimit të Mirela Gjikokajt. “Dardanet” fillimisht kanë barazuar rezultatin në 7:7 dhe më pas kanë krijuar epërsi të thellë prej gjashtë golash, 15:9. Kur është pritur që diferenca të rritet edhe më shumë, Finlanda ka realizuar tre gola rresht dhe pjesa e parë ka përfunduar me rezultat 15:12 për Kosovën.
Në pjesën e dytë loja ka qenë shumë e fortë dhe e barabartë. Në minutën e e dyzetë e tretë mysafiret kanë kaluar sërish në epërsi dhe deri në fund të dyja skuadrat kanë luftuar për çdo gol. Në minutën e pesëdhjetë e nëntë rezultati ka qenë 27:27, por Finlanda ka shënuar edhe dy gola të tjerë në fund për ta fituar ndeshjen 29:27.
Te Kosova janë dalluar portierja Aurora Kryeziu me plot katërmbëdhjetë pritje. Në sulm më efikasja ka qenë Mirela Gjikokaj me nëntë gola nga gjashtëmbëdhjetë tentime. Elisa Mulaj ka realizuar pesë gola nga shtatë tentime, po aq gola ka shënuar edhe Merlinda Qorraj nga njëmbëdhjetë tentime, ndërsa Tina Hetemi ka kontribuar me katër gola nga shtatë tentime.
Ndeshja e parë mes këtyre dy përfaqësueseve ishte fituar nga Finlanda me rezultat 23:21.
Franca ka fituar 34:14 ndaj Kroacisë. Franca udhëheqë në grup me tetë pikë dhe është kualifikuar në Evropian. Kroacia e Finlanda i kanë nga katër pikë, ndërsa Kosova mbetet pa pikë.
Në prill Kosova luan në shtëpi me Francën dhe në udhëtim me Kroacinë.























