Hundozi: Zvicranët dëshmuan rëndësinë e medias publike, shembull për RTK-në
BKT
Lajme

Hundozi: Zvicranët dëshmuan rëndësinë e medias publike, shembull për RTK-në

Blerim Halimi | RTKlive

UD.Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, e ka vlerësuar si mesazh shumë të mirë rezultatin e referendumit të mbajtur të dielën në Zvicër, ku qytetarët votuan bindshëm kundër zvogëlimit të buxhetit për transmetuesin e tyre publik, SRG.

“Qytetarët zviceranë kanë dëshmuar se e kuptojnë rëndësinë e një medie publike të pavarur dhe të financuar në mënyrë të qëndrueshme. Ky shembull duhet të shërbejë si një kujtesë edhe për Kosovën: mbështetja institucionale dhe shoqërore për RTK-në duhet të jetë e qartë, e qëndrueshme dhe afatgjatë, në mënyrë që ajo të përmbushë plotësisht misionin e saj publik”, ka shkruar Hundozi në postimin e tij në Facebook.

Në referendumin e mbajtur dje në Zvicër, 62% e qytetarëve votuan kundër një plani për uljen e tarifës vjetore nga 335 në 200 franga, duke ruajtur kështu financimin e qëndrueshëm të SRG-së, që ofron programe radiotelevizive në katër gjuhë kombëtare.

Sipas Reuters, fushata për uljen e buxhetit u mbështet kryesisht nga grupe të djathta, përfshirë Partinë Popullore Zvicerane (SVP), të cilët argumentonin se tarifa është e lartë dhe se SRG ka përmasë të madhe dhe një perceptim për paragjykim politik në raportim. Ndërkaq, kundërshtarët e uljes së buxhetit paralajmëruan se kjo do të dobësonte prodhimin mediatik të SRG-së dhe do të favorizonte përhapjen e dezinformatave, duke vënë në rrezik qasjen e qytetarëve në informacione të besueshme.

“Një prishje e madhe e infrastrukturës mediatike të Zvicrës është parandaluar. Qasja jonë në informacione të besueshme mbetet e mbrojtur”, tha Laura Zimmermann, drejtuese e fushatës kundër uljes së financimit ndaj transmetuesit publik zviceran.


MË SHUME NGA Lajme