Osmani: Jemi të bindur se dekreti është në përputhje me Kushtetutën
BKT
Lajme

Osmani: Jemi të bindur se dekreti është në përputhje me Kushtetutën

RTKlive

Presidentja, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është e bindur që vendimi për dekretin për shpërndarjen e Kuvendit është në përputhje të plotë me Kushtetutën, ndonëse Gjykata i vendosi masë të përkohshme.

“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë Osmani në një intervistë për Syri TV. 

Ajo ka theksuar se në këtë rast ka vepruar siç e kërkon kushtetuta, pavarësisht se asaj do ti konvenonte më shumë afati 60 ditësh.

"Nuk kam as interes personal. Më shumë do të më konvenonte afati 60 ditësh sepse do të kisha pasur kohë t’i ftoja sërish partitë politike, duke filluar nga ajo më e madhja, Lëvizja Vetëvendosje. Unë veprova ashtu siç e kërkon kushtetuta”, ka deklaruar Osmani. "Njeriu i fundit që do t’i përshtatej një dekret i tillë jam unë”, ka theksuar ajo. 

Osmani: Rikandidimi per presidente vjen nga vullneti i qytetarëve dhe mbështetja e Kurtit

Duke folur për vendimin e saj për rikandidim, presidentja Vjosa Osmani ka shpjeguar se ky hap erdhi si rezultat i kërkesës së qytetarëve dhe mbështetjes së kryeministrit Albin Kurti. Ajo ka theksuar se Kurti e kishte cilësuar si “presidentja më e mirë e shekullit 21”.

“Arsyeja pse unë kam dalë publikisht në fund të vitit të kaluar, duke thënë se synoj që të rikandidohem, e para ka qenë vullneti qytetar të cilët me mijëra e mijëra na kontaktonin në baza javore dhe arsyeja e dytë është zotimi i vetë kryeministrit Albin Kurti se do të më mbështeste në këtë kauzë duke e kualifikuar vetë që bashkimi ynë si binom është interes për të cilin ka nevojë Kosova. Ne do të vazhdojmë bashkë me ketë binom. Vlerësimi i tij madje ka qenë superlativ, duke më thënë je presidentja më e mirë e shekullit 21. Këtë vlerësim e ka thënë edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit”, ka deklaruar Osmani.

Osmani: Sikur të isha kandidatura e vetme e LVV-së, sot do të ishim me presidente

Gjatë intervistës për Syri TV, presidentja Osmani ka sqaruar se ka punuar me deputetët e opozitës për të siguruar mbështetje për një mandat të dytë si presidente duke theksuar se kishte ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem.

Ajo ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidatën e vetme, ajo do të rizgjidhej presidente.

pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë se ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën dhe natyrisht që e kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla, kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë duke ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal si gjithnjë, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të ishim duke diskutuar se si të kapitalizojmë nga përkrahja jashtëzakonisht e fuqishme e administratës Trump 2”, ka deklaruar ajo. 

 

 


MË SHUME NGA Lajme