Ekspozita ‘Butësia kontrollon fortësinë’ hapet më 13 mars në BKK
Kimete Kasumi/ RTKlive
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani" ka njoftuar se më 13 mars, nga ora 19:00, në hollin e këtij institucioni do të bëhet hapja solemne e ekspozitës “Butësia kontrollon fortësinë”.
Sipas njoftimit, ekspozita është e realizuar nga artistet vizuale Anaïs Horn dhe Verena Walzl dhe do të hapet për herë të parë në Kosovë.
Ekspozita vjen nën kurimin e Blerta Hoçia dhe sjell para publikut kërkimin artistik të dy artisteve, duke eksploruar konceptet e heroizmit, disiplinës dhe forcës së heshtur që mund të bartë butësia.
“Përmes portreteve monumentale, tekstit dhe elementeve performative, ekspozita reflekton mbi mënyrën se si shoqëritë bashkëkohore riformësojnë figurën e heroit. Ky reflektim bëhet përmes një praktike sportive të pazakontë për këtë temë – xhudos, me fokus të veçantë tek vajzat e reja që merren me këtë sport”, thuhet në njoftim.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 15 maj 2026.























