Gjetjet mortore, rifillojnë gërmimet në lokacionin `Përzhina` në Rahovec
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gërmimet në lokacionin “Përzhina” në Rahovec janë rifilluar dhe po vazhdojnë pas gjetjeve mortore më 4 mars dhe gjatë ditës së djeshme.
Sipas Komisionit, në përputhje me planifikimet dhe pas krijimit të kushteve për vazhdimin e gërmimeve, ekipet e institucioneve kompetente, përkatësisht ekipet mjekoligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore, përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës - Sektori për Persona të Zhdukur, edhe në prani të përfaqësuesve të institucioneve lokale të Komunës së Rahovecit, në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë vazhduar aktivitetet në këtë lokacion.
Komisioni njofton se me rifillimin e punimeve, të enjten më 4 mars 2026, janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu, gjatë punimeve të zhvilluara dje, janë evidentuar gjetje të mbetjeve mortore, të cilat, sipas vlerësimit fillestar, i përkasin së paku një individi. Megjithatë, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë edhe identifikimin përmes ADN-së.”
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thekson se gërmimet do të vazhdojnë deri në vlerësimin e tërësishëm të lokacionit të shënjuar, përkatësisht zonës me interes.”
“Procesi po zhvillohet në koordinim ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës - Sektorit për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë, me përkushtim të plotë institucional, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka deklaruar se “mbetet i përkushtuar në këtë proces dhe do të vazhdojë angazhimin deri në përmbylljen e kësaj faze të gërmimeve, duke informuar opinionin publik në mënyrë të rregullt dhe transparente, me ndjeshmëri të veçantë ndaj familjeve.”























