Galatasaray fiton prapë si në ndeshjen e mëparshme ndaj Liverpool
BKT
Sport

Galatasaray fiton prapë si në ndeshjen e mëparshme ndaj Liverpool

Uran Krasniqi/RTKLive

Galatasaray ka marrë një fitore me rezultat 1:0 ndaj Liverpool në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales në Champions League. 

Skuadra turke tani do të udhëtojë në Angli me një avantazh minimal para përballjes së kthimit.

Liverpool e ka nisur ndeshjen më mirë dhe është përpjekur që nga fillimi ta kontrollojë lojën për të qetësuar atmosferën e zjarrtë të tifozëve vendas.

Megjithatë, Galatasaray ka kaluar në epërsi shumë shpejt. Në minutën e shtatë, Victor Osimhen e ka rikthyer me kokë një goditje nga këndi drejt portës, ndërsa Mario Lemina ka shënuar poashtu me kokë për 1:0, duke e mposhtur portierin Giorgi Mamardashvili.

Pak minuta më vonë, Osimhen e ka pasur një mundësi të artë për ta dyfishuar epërsinë, por goditja e tij me kokë ka përfunduar jashtë portës.

Në vazhdim të pjesës së parë, të dy skuadrat kanë pasur periudha të mira posedimi të topit. Mohamed Salah dhe Hugo Ekitike janë dalluar te Liverpool, por rastet më të rrezikshme i ka krijuar Galatasaray. Mamardashvili ka bërë një pritje spektakolare ndaj Davinson Sánchez, ndërsa Osimhen e ka humbur edhe një tjetër mundësi të mirë. Pjesa e parë ka përfunduar me ritëm të lartë, por pa gola të tjerë.

Liverpool e ka nisur fort edhe pjesën e dytë dhe Alexis Mac Allister ka qenë shumë pranë barazimit vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës.

Megjithatë, Galatasaray ka vazhduar të mbetej i rrezikshëm në kundërsulme.

Salah është zëvendësuar rreth minutës së gjashtëdhjetë pas një paraqitje jo shumë të mirë. Ndërkohë, Osimhen ka shënuar një gol që është anuluar për pozitë jashtë loje, ndërsa Liverpool ka pasur edhe një gol të anuluar për shkak të një prekje me dorë të Ibrahima Konate.

Në minutat e fundit ndeshja është bërë shumë e hapur, me raste nga të dyja anët, por rezultati nuk ka ndryshuar dhe Galatasaray ka arritur ta ruajë fitoren 1:0.

Kjo ka qenë fitorja e dytë e Galatasaray ndaj Liverpool këtë sezon, pasi skuadra turke kishte fituar me të njëjtin rezultat edhe në përballjen e 30 shtatorit në fazën e hershme të Champions League. 

Ndeshja e kthimit do të luhet javën e ardhshme në stadiumin “Anfield”, ku Liverpool do të tentojë ta përmbysë rezultatin për të siguruar kualifikimin në çerekfinale.