Mehmedi: Gratë të fuqizojnë njëra-tjetrën, që zëri i tyre të shumëfishohet
Kimete Kasumi/ RTKlive
Në kuadër të shënimit të 7 dhe 8 Marsit, në Librazhd, në Pallatin e Kulturës “Sade Alili” u mbajt edicioni i pestë i manifestimit mbarëkombëtar “Gratë në Kulturë”, një aktivitet që synon të vërë në pah kontributin dhe rolin e gruas shqiptare në art, arsim dhe jetën publike.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK organizatorja e manifestimit dhe profesoresha e muzikës Besiana Mehmedi tha se ideja e këtij manifestimi lindi nga nevoja që gratë të mbështesin dhe fuqizojnë njëra-tjetrën në shoqëri.
“Ne shpesh ankohemi se nuk na jepen të drejtat, por hapësira nuk të jepet, ajo merret me punë dhe përkushtim. Problemi më i madh nuk qëndron vetëm në raportin gjinor, por shpesh edhe brenda vetë gjinisë. Prandaj gratë që kanë arritur sukses duhet ta fuqizojnë njëra-tjetrën që ky zë të bëhet i shumëfishtë”, tha Mehmedi.
Ajo ndër tjera tregoi se më edicionin e sivjetëm morën pjesë personalitete të njohura të kulturës shqiptare si poetja dhe veprimtarja Flora Brovina, balerina pionere e baletit kosovar Sabrie Spahiu, këngëtarja Shpresa Gashi dhe Irma Libohova.
Programi përfshiu diskutime, interpretime muzikore dhe performanca artistike, duke ndërthurur panelin e debatit me artin në skenë. Mehmedi theksoi se arti ka një rol të madh në përcjelljen e mesazheve për fuqizimin e gruas.
Manifestimi “Gratë në Kulturë” është zhvilluar në disa qytete të hapësirës shqiptare, përfshirë Tetovë, Shkup dhe në Kosovë, ndërsa këtë vit u mbajt në Librazhd.























