Protestë para komunës së Prishtinës kundër tjetërsimit të pronave|Video
Fatos Cëvadiku|RTK
Tjetërsimi i pronës private, nga ana e Komunës, duke e bartur te një palë tjetër, ka kohë që është bërë problem për disa familje në kryeqytet, të cilat përpiqen të gjejnë zgjidhje.
Kërkesat e përsëritura për një takim dhe sqarim institucional me kryetarin e komunës, as sot nuk hasën në gatishmëri për trajtimin e kësaj çështjeje, që për pronarët është tejet serioze.
“Komuna e Prishtinës, ka dhanë një pjesë të asaj pronës tonë, 16 ari një pronari tjetër si kompensim”, tha ndër të tjera Xhemshit Cakolli, banor.
“Kemi problem me pronën tonë, komuna e ka marrë, do me tjetërsuar ose e ka tjetërsuar një pjesë, na i lypim të drejtat tona, kemi vendim gjyqësor”, tha Xheladin Aliu, banor
Çështja ka kaluar edhe në instancë gjyqësore, ndërkohë që në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, është aprovuar si e themeltë ankesa e paditësve si dhe është aprovuar si e bazuar kërkesë-padia e paditësve.
“Ne kemi edhe një vendim të Gjykatës së Apelit, të formës së prerë e cila gjykatë e ka njohur të drejtën tonë të pronësisë. dhe kuvendi komunal i Prishtinës nuk e realizon”, tha Xhemshit Cakolli, banor.
Bazuar në aktgjykim, Komuna e Prishtinës obligohet që paditësve, si në pikën l dhe ll të dispozitivit të këtij aktgjykimi, t’ua lejojë që pjesët e ngastrave të cekura, si në pikën l dhe ll t’i bartin dhe ti regjistrojnë në regjistrat e palujtshmërisë në pronësi të tyre individuale.
Kryetari i Komunës nuk i priti banorët që kërkojnë pronat e veta, ndërkohë që për këtë çështje nuk u deklaruan as për transmetuesin publik.























