Rama: Çdo kërcënim ndaj Kosovës është kërcënim edhe për Shqipërinë
BKT
Foto arkiv
Në Fokus

Rama: Çdo kërcënim ndaj Kosovës është kërcënim edhe për Shqipërinë

M.Shefkiu/RTKLive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi presidentin serb Aleksandar Vuçiq se çdo kërcënim serioz ndaj Kosovës do të konsiderohej edhe si kërcënim ndaj Shqipërisë.

“Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial”, tha Rama në një intervistë për median turke “Türkiye Today”. Ai e përshkroi Vuçiçin si një lider me njohuri dhe intuitë, por që ka një “makth” të lidhur me Kosovën.

Rama reagoi ndaj akuzave të Vuçiçit për një të ashtuquajtur “aleancë ushtarake” mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke i cilësuar ato pretendime të pabazuara.

“Presidenti Vuçiq ka njohuri dhe intuitë të fortë, por ai ka një makth që quhet Kosova. Pikë. Kur ky makth ndikon në emocionet e tij, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, tha Rama, duke shtuar se Serbia duhet të pranojë realitetin.

“Kjo është një tjetër britmë në makth… Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë sesa kjo. Prandaj them gjithmonë: lëshojeni litarin, lëreni të shkojë. Kur ta lini të shkojë, makthi do të përfundojë,” shtoi ai.

Rama rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe theksoi se pavarësia e saj është e pakthyeshme. “Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm”, tha ai.

Megjithatë, Rama theksoi se Vuçiq mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet diçka së bashku mbi objektiva të përbashkëta. Ai theksoi se perspektiva e tij nga Tirana ndryshon nga ajo e Prishtinës, duke kujtuar përvojat e tij gjatë luftës së ish-Jugosllavisë.

“Kam qenë dëshmitar i luftës së përgjakshme që prishi ish-Jugosllavinë dhe solli në Kosovë furinë e makinës nacional-socialiste të vdekjes dhe shkatërrimit. Kujtimet, plagët dhe makthet janë ende shumë të pranishme atje dhe jo aq shumë këtu”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur akuzave të vendeve fqinje për ambicie “neo-osmane” të Turqisë, Rama ironizoi duke përmendur një projekt të vonuar - restaurimi i një xhamie të vogël në Shqipëri nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

“Ne kemi një nga xhamitë më të bukura të ndërtuara në këtë rajon, një gjë e vogël, dhe tashmë prej tre vitesh presim që TIKA ta riparojë”, tha ai.

“Nëse do të ishin vërtet neo-osmanë, të paktën ajo xhami do të ishte rregulluar dhe do të shkëlqente pas përmbytjes që shkaktoi shumë dëme”, shprehet kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu ironinë se Serbia i bën këto akuza, ndërkohë që kapitali turk investohet më shumë aty sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku.

“Jam i sigurt se presidenti i Serbisë, i cili është shumë i fiksuar pas shifrave, mund ta shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”. tha Rama.

Tetorin e kaluar, Vuçiç akuzoi Turqinë për “ëndrra osmane” pas dërgimit të dronëve Skydagger në Prishtinë dhe e akuzoi Turqinë dhe SHBA-në për armatosjen e shqiptarëve në Kosovë, duke e paraqitur si një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë.


MË SHUME NGA Në Fokus