Gërvalla: Kosova ka nevojë për drejtësi pa kompromis
BKT
Lajme

Gërvalla: Kosova ka nevojë për drejtësi pa kompromis

Valmira Saraçi|RTKlive

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka zhvilluar takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin thotë se folën për përparimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve që garantojnë sundim të palëkundur të ligjit dhe integritet të plotë të sistemit të drejtësisë.

Gërvalla, thotë se bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar ka qenë dhe është i përhershëm, i qëndrueshëm dhe i shumëanshëm, e me fokus të veçantë tek drejtësia dhe sundimi i ligjit.

“Republika e Kosovës në vazhdimësi vlerëson mbështetjen e tyre në proceset reformuese, në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve tona, e sidomos përpjekjet e shtetit britanik për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, thotë ministrja Gërvalla, vetingu dhe ndërmarrja reformuese në sistemin e drejtësisë dhe funksionalizimi i plotë i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk janë thjesht reforma, por parakusht për një drejtësi që nuk toleron kompromis.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vijë e prerë e mandatit tonë, dhe Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e vendosur që çdo abuzim të ndëshkohet dhe çdo qytetar të gëzojë drejtësi reale të qasshme dhe të pakompromentuar”.

Sipas saj, vetëm kështu shteti forcon institucionet e saj, garanton drejtësi funksionale dhe transparencë, dhe siguron që sundimi i ligjit të mbetet prioritet bazë i Republikës.

 


MË SHUME NGA Lajme