KQZ pezullon AKR-në, Makolli: Kuvendi i partisë mbahet nga mesi i prillit
Edona Podvorica /RTK
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e punës për vitin 2026. Në këtë plan parashihet mundësia që të pezullohet zbatimi i tij në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve të parapara ligjore, KQZ ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re.
Vendimi sipas tyre mbështetet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, partia e regjistruar politike mban kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.
Në mbledhje, me 11 vota për, KQZ pezulloi partinë Aleancë Kosova e Re. U tha se kjo parti nuk e mbajti kuvendin zgjedhor brenda afateve ligjore.
Besnik Buzhala, drejtor i Sekretariatit të KQZ-së tha se “Të pezullojë partinë politike, Aleanca Kosova e Re, sipas nenit pestë të Rregullores numër 1/2024, dhe të obligojë partinë politike Aleanca Kosova e Re me akronimin AKR që, në një afat shtesë prej 45 ditësh, të mbajë kuvendin e saj”.
Sipas KQZ-së, AKR-ja, e regjistruar në vitin 2007, ka qenë e obliguar që deri më 25 shkurt 2026 ta mbante kuvendin zgjedhor të radhës.
E ushtruesi i detyrës së presidentit të AKR-së, Vesel Makolli, i tha RTK-së se ata do ta mbajnë Kuvendin zgjedhor nga mesi i muajit prill.
“Kuvendin zgjedhor diku te mesi i prillit presim ta mbajmë, ku do të zgjidhet këshilli drejtues i ri, kryesia, kryetari dhe të gjitha organet gjegjëse konform statutit”, tha ai.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se partia e regjistruar politike mban kuvendin zgjedhor brenda 6 muajsh nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.
Dokumenti i planit të punës për vitin 2026 është përgatitur në përputhje me Planin Strategjik të KQZ-së për periudhën 2023-2026 dhe mbështetet në konkluzionet dhe rekomandimet e përfituara nga proceset zgjedhore të vitit 2025. Megjithatë anëtarët e këtij institucioni thanë se parashihet mundësia që të pezullohet zbatimi i tij në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
Në raport thuhet se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme pamundëson realizimin e pjesës dërmuese të aktiviteteve të planifikuara, përveç atyre që përbëjnë obligime ligjore që ndërlidhen me raportimin ose që burojnë nga ligjet e tjera në fuqi. Ky parashikim siguron që institucioni të mbetet i fokusuar në përgjegjësitë bazë edhe në situata të paplanifikuara.
Arianit Elshani nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore tha se “Është përgatitur një plan i punës konform strategjisë i miratuar të KQZ për vitin 2023 deri 2026 në kuadër të 5 shtyllave strategjike. Janë gjithsej 73 aktivitetet që janë të listuara në kuadër të planit të punës , sigurisht këtu janë marrë parasysh kufizimet në buxhet , por edhe mundësia e rrezikut dhe shkuarjes në zgjedhje”.























