Për herë të parë në QKUK konfirmohet një shtatzëni me IVF
BKT
Kulturë

Për herë të parë në QKUK konfirmohet një shtatzëni me IVF

Albulena Bytyqi/Radio Kosova

Për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurës së Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF). Nëna 31 vjeçare, ishte përballur rreth pesë vjet infertilitet para se të arrinte këtë shtatzëni.

Pas pesë vjetësh përballje me infertilitetin, një 31 vjeçare pret të bëhet nënë, pasi për herë të parë u konfirmua shtatzënia pas procedurave  të Feritilizimit të Asistuar Mjekësor – IVF në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Shefi i repartit të IVF në këtë klinikë, Leandrit Bejtullahu, e ka konfirmuar këtë rast që ndodh për herë të parë në QKUK.

“Procedura është realizuar muajin e kaluar. Embrionet i kemi ngrirë për arsye se ka qenë rreziku për hiperstimulimit,  ku shtatzënia përkeqëson gjendjen. Kështu që transferin e kemi bërë këtë muaj, para dy javësh është kryer procedura e e embrio transferit me dy embrionet e ngrira. Për momentin e kemi testin e shtatzënisë te marrë me gjak që ka vlerën shumë të lartë, që flet për konfirmim të shtatzënisë, domethënë, sipas gjitha kritereve, flet për një shtatzëni vitale”, tha Bejtullahu.

Që nga viti i kaluar janë regjistruar mbi 2 mijë e 500 raste me probleme infertiliteti, ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj. Ai ka thënë se ky është një sukses i rëndësishëm për sistemin publik shëndetësor, ndërsa shtoi se brenda këtij viti synojnë t’i trajtojnë mbi 200 paciente.

“Me fillim kemi aplikuar numër më të vogël të rasteve kemi pasur 2-3 raste në ditë, tash do të rritmi rastet deri ne 6 -7 ne ditë çdo herë do të shohim mundësinë e rritjes së rasteve për trajtim. Ndërsa brenda një viti  synojmë t’i trajtojmë afërsisht 200-250 raste me probleme me infertilitet”, tha ai.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook, e cilësoi këtë si një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK pa pagesë.


MË SHUME NGA Kulturë