13 Marsi – Dita e Basketbollit në Kosovë
BKT
Sport

13 Marsi – Dita e Basketbollit në Kosovë

Fatmir Bytyqi/RTKLive

13 marsi është një datë që ka ndryshuar historinë e basketbollit në Kosovë.

Më 13 mars 2015, Federata e Basketbollit e Kosovës u pranua si anëtare me të drejta të plota në FIBA, duke realizuar një ëndërr të kahershme të komunitetit të basketbollit në vend.

“Ky ishte një moment historik që hapi një kapitull të ri për basketbollin kosovar, duke i dhënë sportit tonë vendin e merituar në familjen ndërkombëtare të basketbollit. Kjo datë përfaqëson shumë më tepër se një vendim formal. Ajo simbolizon një rrugëtim të gjatë, përkushtimin dhe sakrificën e gjeneratave të basketbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në zhvillimin e basketbollit në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Në përputhje me Planin Strategjik të FBK-së 2026–2030 dhe me synimin për zgjerimin e komunitetit të basketbollit në Kosovë, sipas FBK-së, 13 marsi do të shënohet çdo vit si Dita e Basketbollit në Kosovë.