Dyshohet se përfituan mbi 400 mijë € nga fajdeja, dy persona në paraburgim
Nora Gjuzi/RTK
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, përmes gjyqtares së procedurës paraprake, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj dy të pandehurve, E.K. dhe A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Sipas gjykatës, masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më 11 prill 2026. Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale.
Gjykata ka bërë të ditur se nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i kishte dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga viktima B.Ç., i njëjti kishte marrë mbi 400 mijë euro.
Sipas gjykatës, në pamundësi për të përballuar dhe kthyer borxhin, në këtë situatë përfshihet edhe viktima e dytë B.B., e cila kishte marrë para nga të pandehurit për ta ndihmuar viktimën e parë në shlyerjen e borxhit. Nga viktimat, për shkak të grumbullimit të kamatave, të pandehurit E.K. dhe A.K. kishin kërkuar shumën prej 550 mijë euro.
Gjykata ka theksuar se për të siguruar këtë shumë, të pandehurit i kishin kërkuar viktimës B.Ç. që në emër të kamatave t’u kalonte në pronësi dy lokale afariste dhe një shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro.
Po ashtu, sipas gjykatës, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kishin përdorur forcë, duke i rrahur dhe kanosur viktimat. Në këto rrethana, ata e kishin detyruar viktimën B.Ç. që më 11 mars 2026, së bashku me nënën e tij, të shkonin fillimisht në zyrën e një përmbaruesi privat dhe më pas të vazhdonin procedurat noteriale për kalimin e pronës.
Gjykata ka bërë të ditur se në kuadër të aplikimit të masave të veçanta hetimore kishte ndërhyrë policia, e cila i kishte arrestuar të pandehurit.
Gjykata ka theksuar se në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se ky dyshim mbështetet në shkresat e lëndës, si dhe në faktet dhe provat e mbledhura deri më tani.
Duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit, nëse lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Gjykata po ashtu ka vlerësuar se, duke qenë se procedura hetimore është në fazën fillestare, ekziston rreziku real që të pandehurit, në rast se lirohen, mund të ndikojnë te të dëmtuarit dhe dëshmitarët me qëllim të pengimit të procedurës hetimore, përmes presioneve, kanosjeve apo edhe dhunës fizike, e cila sipas dyshimeve është përdorur edhe më parë ndaj viktimave.
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale tregojnë rrezik potencial që të pandehurit mund të përsërisin veprat penale apo të kryejnë vepra edhe më të rënda, duke cenuar sigurinë e të dëmtuarve.
Për këto arsye, gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është masë e domosdoshme për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë dhe parandalimin e arratisjes apo ndikimit të tyre në dëshmitarë dhe prova të rastit.
Gjykata ka theksuar se nëse këto fakte do të argumentohen apo jo, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.























