Ribotim i veprës së Halil Matoshit `Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe`
BKT
Kulturë

Ribotim i veprës së Halil Matoshit `Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe`

Sh.Çoçaj/RTKlive

Shtëpia Botuese Littera ka ribotuar librin e shkrimtarit dhe gazetar‑aktivistit Halil Matoshi, `Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe - Një kallëzim krejt personal për luftën, burgun dhe lirinë`.

Ky botim vjen i rishikuar dhe i përpunuar nga vet autori, në një nismë për ta rikthyer këtë tekst në horizontin e leximit bashkëkohor, në një kohë kur dëshmitë e kohës së luftës dhe përpjekja për liri mbeten pjesë e pandashme e reflektimit kulturor dhe historik për Kosovën.

Libri shpalos në formën e një rrëfimi personal përjetimet e Matoshit nga periudha e luftës së fundit në Kosovë, arrestimi dhe mbajtja e tij në burgjet serbe, ndërthurur me reflektime historike, meditime etike‑filozofike dhe elemente të shkrimit letrar.

Në shënimin e tij, autori sqaron motivet e ribotimit, duke theksuar se botimi origjinal, i botuar nga gazeta Zëri në vitin 2000 dhe i njohur në publik si “Libri i Zi”, tashmë nuk është i disponueshëm në librari.

Me nismën e Donika Dabishevcit, themeluese e Littera, Matoshi vendosi ta rimarrë këtë tekst, ta rishkruajë dhe ta estetizojë fjalën pas një distance kohore, për t’ua bërë të arritshme brezave të rinj dhe për të freskuar kujtesën historike mbi rezistencën civile dhe luftën çlirimtare në Kosovë.

Në librin e ri, Matoshi përkujton jo vetëm përvojën e tij personale, por edhe të gjithë ata që kontribuuan, sakrifikuan dhe luftuan bashkë me të, prej kolegëve gazetarë e deri te ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe individë që luajtën rol të rëndësishëm në mbrojtjen e së vërtetës dhe lirive themelore gjatë konfliktit.

Në fjalën e redaktorit Pal Shtufi, vlerësohet se ky libër përfaqëson më shumë se një dokument historik: ai është histori e jetuar dhe e shkruar nga një prej dëshmitarëve më të afërt të kohës. Rrëfimet e autorit fillojnë me arrestimin e tij më 21 maj 1999 dhe ndjekin udhëtimin e tij ballë për ballë me vdekjen, kapërcimin e frikës, e deri te kthimi në liri pas çlirimit të Kosovës.

Botimi i ri përmban jo vetëm tekstet origjinale, por edhe rishikime, saktësime dhe reflektime të autorit mbi ngjarjet dhe përvojat që shënuan jo vetëm jetën e tij, por edhe fatin e shumë qytetarëve të Kosovës. Ribotimi synon të shërbejë si një “refresh” i kujtesës kolektive, si dhe një dokument i rëndësishëm për studime historike, kulturore dhe letrare.

“Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe” është tashmë në qarkullim dhe pritet të tërheqë vëmendjen e lexuesve të interesuar për dëshmitë autentike të periudhës së luftës në Kosovë, duke ofruar një perspektivë personale, të thellë dhe emocionalisht të fortë të ngjarjeve që formësuan histori dhe identitet kombëtar.


MË SHUME NGA Kulturë