Liderët politikë ngushëllojnë familjet e viktimave të tragjedisë në Austri
Naser Mekolli /RTKlive
Pas tragjedisë në Austri, ku humbën jetën disa persona, përfshirë tre shtetas të Kosovës, liderët e partive politike të vendit shprehën ngushëllimet e tyre për familjet dhe të afërmit e viktimave.
Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, u shpreh i pikëlluar nga ky lajm tragjik. Ai i shprehu ngushëllime të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave, duke theksuar se me mendje e zemër është pranë tyre në këto momente të vështira.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se vdekja e të rinjve kosovarë në Austri lë pas dhimbje të madhe për familjet dhe shoqërinë në përgjithësi. Ai i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve, duke ndarë dhimbjen dhe solidaritetin me të gjithë të prekurit.
Ndërkaq, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e konsideroi lajmin si të trishtë dhe shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që i njohën. Ai u lut që Zoti t’u lehtësojë dhimbjen.
Ngushëllime familjarëve të viktimave u kanë përcjellë edhe presidentja Vjosa Osmani, kreyparlamentarja Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti.























