Kurti viziton myftiun Tërnava, përkujton hoxhallarët e rënë dëshmorë
BKT
Lajme

Kurti viziton myftiun Tërnava, përkujton hoxhallarët e rënë dëshmorë

Naser Mekolli /RTKlive

(E plotësuar, në ora 11: 18) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm të festës së Fitër Bajramit, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëpritën nga Myftiu Naim Tërnava.

Me këtë rast, kryeministri i uroi besimtarët për Fitër Bajramin, duke thënë se kjo festë e gëzuar njëkohësisht na i përkujton vlerat e solidaritetit, të sakrificës, të ndihmës që duhet të japim për ata që kanë më pak, që ndodhen në kushte më të vështira, njofton Zyra për informim e Kryeministrit.

“Si çdo vjet edhe sivjet, si për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te Myftiu Naim Tërnava, te kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, këtu në selinë e tyre në Prishtinë, për t’i falënderuar për angazhimin, punën, rolin, kontributin edhe aktual edhe historik”, tha Kurti.

Në këtë ditë festive, kryeministri Kurti kujtoi edhe 37 hoxhallarë, imam, shehit, që ranë dëshmorë në luftën çlirimtare.

Kurti për Fitër Bajram: Mesazh për solidaritet dhe kujdes ndaj fëmijëve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar sot qytetarët me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Mirëmëngjes dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami! Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar”, shkruan Kryeministri në mesazhin e tij. Ai thekson se kjo ditë e gëzimit dhe begative, e kaluar mes të afërmve, duhet të na gjejë më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me ata që kanë më pak dhe më të vëmendshëm ndaj përmirësimit si individë dhe si shoqëri.

Kurti gjithashtu nënvizon rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve: “Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja – në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve”,ka uruar Kurti.

 


MË SHUME NGA Lajme