Departamenti i Shtetit paralajmëron amerikanët për rrezik të shtuar sigurie
Emine Hoti/RTKlive
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një njoftim të ri sigurie duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë në mbarë botën, veçanërisht në Lindjen e Mesme, të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të rreziqeve në rritje.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ambasada amerikane në Kosovë, amerikanët që ndodhen jashtë vendit duhet të ndjekin me përpikëri udhëzimet dhe paralajmërimet e sigurisë të publikuara nga ambasadat dhe konsullatat më të afërta të SHBA-së.
Autoritetet theksojnë se mbylljet e herëpashershme të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimeve dhe vonesa të papritura.
Gjithashtu, bëhet e ditur se objektet diplomatike amerikane, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, kanë qenë objektiv sulmesh, ndërsa grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë interesa të tjera amerikane apo vende të lidhura me SHBA-në, si dhe qytetarët amerikanë kudo në botë.
Departamenti i Shtetit u rekomandon qytetarëve të regjistrohen në programin STEP për të marrë njoftimet më të fundit të sigurisë, si dhe të ndjekin kanalet zyrtare për përditësime në kohë reale. Po ashtu, këshillohet që para çdo udhëtimi të konsultohen me kujdes njoftimet e udhëtimit (Travel Advisory) dhe informacionin specifik për destinacionin përkatës.























