Hoti takon shefen e UNICEF-it në Kosovë, flasin për bashkëpunim
Emine Hoti/RTKlive
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka pritur në takim shefen e UNICEF në Kosovë, Veronika Vashchenko, si dhe specialistin për Politika Sociale në këtë organizatë, Dren Rexha.
Sipas njoftimit nga kjo ministri, gjatë takimit u diskutua për prioritetet e Ministrisë në fushën e punësimit, mbrojtjes sociale dhe shërbimeve për fëmijët dhe familjet. Po ashtu, u trajtuan edhe drejtimet e bashkëpunimit në kuadër të Programit të UNICEF-it për periudhën 2026–2030.
“Ministri Hoti theksoi se në fokus të MPFVLÇ-së është ndërtimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm të shërbimeve sociale, që i përgjigjet realisht nevojave të fëmijëve dhe familjeve, veçanërisht atyre më të cenueshme”, theksoi Hoti.
Ai falënderoi UNICEF-in për mbështetjen e deritanishme, duke shtuar se bashkëpunimi i mëtejmë do të orientohet drejt arritjes së rezultateve konkrete dhe të matshme në terren.























