Hamza: NATO ndryshoi fatin e Kosovës, mirënjohje e përjetshme
Emine Hoti/RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO në Kosovë, duke e cilësuar atë si moment vendimtar për lirinë e vendit.
Ai ka shkruar se më 24 mars 1999 bota ndërhyri për të ndalur, siç u shpreh, masakrat dhe krimet sistematike të regjimit të Slobodan Milosheviq ndaj popullit të Kosovës.
Hamza nderoi heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës. Ai gjithashtu përmendi bashkëpunimin e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës me NATO-n gjatë luftës.
“Bombardimet e NATO-s u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike”, ka shkruar Hamza.
Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në rrugën e Kosovës drejt lirisë, ndërsa theksoi se mirënjohja ndaj aleatëve ndërkombëtarë mbetet e përjetshme.
“Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë ta mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë. NATO, faleminderit përjetësisht! ", ka përfunduar Hamza.























