Abdixhiku:Më 24 mars, përpjekja jonë u bë pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare
Valmira Saraçi|RTKlive
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur ndërhyrjen e NATO-s, 27 vjet më parë, si një nga kthesat më të thella të historisë moderne.
Kreu i LDK-së thotë se për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar.
“Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar - dhe atë në formën më të bukur të mundshme - nga qielli”, ka shkruar lideri i LDK-së në shënimin e 27 vjetorit të sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Abdixhiku thotë se liria nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës me vendimin e drejtë të aleatëve.
“Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë”, shkroi tutje ai.
Lieri i LDK-së thotë se 24 marsi duhet të trajtohet si datë kombëtare e Republikës.
“Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku derisa ka kujtuar përvjetorin e 27 ë sulmvete të NATO-s ndaj caqeve serbe.























