27 vjet nga bombardimet e NATO-s, kthesa vendimtare për Kosovën|Video
BKT
Në Fokus

27 vjet nga bombardimet e NATO-s, kthesa vendimtare për Kosovën|Video

Visar Shatrolli|RTK

Sot shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi, me qëllim ndaljen e dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Fushata ajrore, që zgjati 78 ditë, shënoi një kthesë të madhe historike. Sulmi ajror i vitit 1999 ishte hera e parë dhe e vetme që NATO përdori forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rreth një mijë avionë operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe nga aeroplanmbajtëset e vendosura në Detin Adriatik.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë Serbisë, e cila kishte shkaktuar konflikte të njëpasnjëshme në Ballkan, më 24 mars të vitit 1999 mori një dimension tjetër.

Lajmi mori dhenë në 24 mars 1999, ora 19:45. Aleanca Veriatlantike filloi bombardimet kundër Serbisë.

Nga toka, ajri dhe uji, bazat ushtarake dhe objektet strategjike serbe u goditën, duke pësuar shkatërrime brenda dhe jashtë Serbisë.

Ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili autorizoi sulmet ajrore, fushatë kjo që shënoi përdorimin e parë të forcës ushtarake nga NATO pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në Kosovë kishin zbarkuar ushtarakë, policë dhe paramilitarë serbë, të cilët shkatërronin, vrisnin, masakronin dhe dëbonin një popull të tërë, duke synuar zhdukjen e tij.

Reçaku ishte një nga mizoritë më të tmerrshme, një krim që mbante vulën e Serbisë dhe që detyroi edhe faktorin ndërkombëtar të deklaronte hapur se në Kosovë, Serbia e udhëhequr nga Millosheviqi po kryente gjenocid.


“Sot qëndrojmë së bashku kundër atyre që shkaktuan këtë krim, këtë krim kundër njerëzimit”, tha William Walker, ish-ambasador i OSBE-së.

Rasti i fundit që iu dha kryekriminelit Sllobodan Millosheviq ishte takimi i fundit që diplomati amerikan Richard Holbrooke pati me të në mars të vitit 1999, duke i kërkuar të pranonte Marrëveshjen e Rambujesë.

Refuzimi i kushteve të kërkuara ishte arsye vendimtare për nisjen e bombardimeve kundër Serbisë.

Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe nga aeroplanmbajtëset e vendosura në Detin Adriatik.

Avionët kryen mbi 38 mijë fluturime, nga të cilat 10.484 ishin sulmuese, pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve. U shkatërruan depot dhe fabrikat e armëve në Beograd, Nish dhe Novi Sad. Dëme të rënda pësuan edhe kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, si dhe sistemet e komandës dhe kontrollit, mbrojtjes ajrore, si dhe infrastruktura e energjisë dhe komunikimit.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, deklaroi se nëse Millosheviqi nuk ishte i gatshëm të bënte paqe, atëherë ata ishin të gatshëm t’i kufizonin aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve.

“Ne kemi vepruar për të shmangur zgjerimin e luftës dhe për të çaktivizuar mundësinë e përhapjes së saj në zemër të Evropës, një luftë që ka shpërthyer dy herë më parë gjatë këtij shekulli duke sjellë pasoja katastrofike", tha Bill Clinton, ish-president i SHBA-ve. Në vitin 1989, lideri i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i njëjti që nisi luftërat në Bosnje dhe Kroaci dhe lëvizi drejt Sllovenisë në dekadën e fundit, ua hoqi autonominë qytetarëve të Kosovës. Atyre iu ndalua të flisnin gjuhën e tyre, të arsimoheshin dhe të jetonin jetën e përditshme”, tha Bill Clinton, ish-president i SHBA-ve.

Bombardimet 78-ditore të NATO-s i dhanë fund brutalitetit, masakrave dhe spastrimit etnik që Serbia synonte në Kosovë.

Marrëveshja e Kumanovës, më 9 qershor 1999, shënoi përfundimin e fushatës së NATO-s dhe kapitullimin e Millosheviqit. Serbia kishte 11 ditë kohë t’i tërhiqte rreth 40 mijë forca nga Kosova.

Më 12 qershor filloi dislokimi i KFOR-it, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO, që fillimisht përbëhej nga rreth 50 mijë trupa nga 33 vende të botës.

Rreth 800 mijë shqiptarë të dëbuar u kthyen në Kosovë. Ndërkohë, lufta përfundoi me rreth 13 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur, për një pjesë të të cilëve edhe sot, pas 27 vitesh, nuk dihet asgjë.


MË SHUME NGA Në Fokus