Analistët: Prania e UNMIK-ut shihet si e tejkaluar
BKT
Lajme

Analistët: Prania e UNMIK-ut shihet si e tejkaluar

Visar Shatrolli / RTK

Prania e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK ka kohë që shihet si një element kontrovers në politikën dhe institucionet e vendit, ku efektiviteti i tij shpesh vihet në pikëpyetje.

I vendosur fillimisht me synimin për të ndihmuar në stabilizimin dhe ndërtimin e institucioneve pas luftës në realitetin e ri, roli i këtij misioni, nga shumëkush konsiderohet i tejkaluar dhe shpeshherë pengues për funksionimin e plotë të shtetësisë së Kosovës.

Institucionet vendore tashmë kanë dëshmuar kapacitet të plotë për vetëqeverisje dhe përfaqësim ndërkombëtar, ndërsa vazhdimi i pranisë së UNMIK-ut shihet si një relikt i së kaluarës që nuk reflekton realitetin e ri politik.

Kritikat janë shtuar sidomos për shkak të rolit të kufizuar, por njëkohësisht të paqartë të këtij misioni, i cili në raste të caktuara perceptohet se krijon konfuzion institucional dhe diplomatik.

Në këtë kontekst, vëmendje të veçantë ka marrë edhe funksionimi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, e cila njihet për qëndrimin kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës.  Emërimi i Ilia Uvarovit në krye të kësaj zyre, nga njohës të zhvillimeve politike, komentohet si një përpjekje për të intensifikuar praninë dhe ndikimin rus në çështjet që lidhen me Kosovën.

Kjo zyrë në bashkërendim me strukturat ndërkombëtare ku Rusia ka ndikim, përfshirë edhe UNMIK-un, nga këndvështrimi i analistëve,shpesh ka kontribuar në mbajtjen gjallë të narrativave që sfidojnë shtetësinë e Kosovës dhe pengojnë konsolidimin e saj ndërkombëtar.

"UNMIK-u duhet sa më parë të mbyllet. Ne e dimë që kjo nuk mund të bëhet lehtësisht pa një vendim të Kosovës, por efektshmërisht nuk ka asnjë rol UNMIK-u më në Kosovë dhe besoj që organizata OKB, fondet të cilat i dërgon përmes kësaj zyre në Kosovë duhet që t’i riorientojë në vende të tjera, për arsye se në asnjë rrethanë që nga viti 2008 kur u shpallë pavarësia e Kosovës, roli i këtij institucioni ka qenë i margjinalizuar...", ka thënë Dorajet Imeri, politolog.

Ekspertë të sigurisë kanë vënë në pah se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës është praktikë e njohur, por në rastin e Rusisë ajo është më e përhapur dhe më intensive. Ndaj duke marrë për bazë synimin e Rusisë për destabilizim të rajonit, përmes figurave si Uvarov, paralajmërohet për vigjilencë të shtuar të institucioneve të shtetit.

"Institucionet tona duhet të jenë absolutisht vigjilente dhe natyrisht që personat e kësaj natyre duhet të jenë vërtet të distancuar në kuptimin e mundësisë që të ketë qasje ndaj tyre. Rusia vazhdimisht ka ambiciet e saj...", shtoi Imeri.

"Duhet të krijohet një bashkëpunim më i thelluar, që vazhdimisht të dihet qëllimi i tyre, ndërsa organet e inteligjencës në Kosovë duhet të mbajnë nën vëzhgim persona të tillë. Nuk po themi që duhet të pengohen në punën e tyre, por nuk duhet të kalojë përtej zyrës së diplomacisë, për shkak se vetë rrjedha e tyre dhe funksionimi i tyre ngjallin dyshime për sigurinë në Kosovë, sidomos në rrethana të tanishme gjeopolitike destabilizuese”, tha Gurakuq Kuqi nga Instituti "OCTOPUS".

Lidhur me çështjen, RTK kërkoi një qëndrim nga UNMIK-u. Përgjigjja e tyre nënvizon shkurt se Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk ndërhyn dhe nuk jep komente mbi përbërjen ose aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare.


MË SHUME NGA Lajme