PDK do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm: Respektojmë vendimin e gjykatës
BKT
Lajme

PDK do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm: Respektojmë vendimin e gjykatës

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës do të thërrasë brenda pak ditësh mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të diskutohet për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për hapat e ardhshëm të partisë.

Kështu ka bërë të ditur Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se në këtë takim do të shqyrtohet, siç u shpreh ajo, “aktualiteti i rëndë politik në Kosovë” dhe do të merren vendime për të ardhmen.

“Ne patëm mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar dhe të kryesisë, vendimi është që brenda pak ditësh të thërrasim mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku do të diskutohet për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe do t’i marrim vendimet për të ardhmen që na pret”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka ritheksuar se PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar se për këtë parti vendimet e gjykatës nuk kanë qenë asnjëherë çështje diskutimi.

“Edhe njëherë, PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Më tej, Çitaku ka shtuar se qëndrimi i PDK-së ndaj vendimeve të gjykatës ka qenë i pandryshueshëm.

“PDK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po besoj për secilin që e ka ndjekur aktivitetin politik të PDK-së, respektimi i vendimeve të gjykatës për ne asnjëherë nuk është çështje diskutimi”, është shprehur Çitaku.

Ndërkohë në një njoftim të partisë, potencohet se Kryesia e PDK-së do të formalizojë qëndrimet dhe veprimet e saj politike në ditët në vijim.

"PDK do të njoftojë në ditët e ardhshme opinionin publik për datën, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Drejtues", thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme