Promovohet libri "Hallka më e fortë" e autores Di Lellio
Valbona Thaçi / RTKLive
Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, u bë promovimi i librit “Hallka më e fortë në historikun e grave të mbijetuara të përdhunimit gjatë luftës së Kosovës”.
Autorja e librit, Ana Dilello, theksoi se autorët e krimeve të përdhunimit nuk duhet të falen asnjëherë.
“Heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve të cilët nuk flasin ose mohojnë krimet e tyre, ata kurrë, kurrë nuk duhet të falen”, ka thenë Diello.
Kurse bashkëautorja e librit, Garentina Kraja, u shpreh se ky libër ka për qëllim të dëgjohet zëri i grave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës.
Ajo shtoi se që në fillim të këtij projekti kanë pasur një synim të palëkundur:
“Kur e filluam këtë rrugëtim me Anën para gati 10 viteve e filluam me një synim dhe nuk u lëkundëm asnjëherë nga ai që t’i japin jehonë atyre rrëfimeve të grave të përdhunuara nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë që të sigurojmë njohje të gjerë ndërkombëtare për krimin e tmerrshëm të kryer ndaj tyre dhe të kontribuojnë në një debat më të gjerë në literaturën akademike mbi përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte”, ka thënë Kraja.
Ky libër është një dëshmi më shumë mbi dhunën dhe persekutimin e përjetuar gjatë luftës së Kosovës.























