Fitorja e Kosovës, Murati: Të hënën vendimi për ndarjen e 500 mijë eurove
BKT
Sport

Fitorja e Kosovës, Murati: Të hënën vendimi për ndarjen e 500 mijë eurove

Valmira Saraçi|RTKlive

Fitorja e mbrëmshme e Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4:3 do t’i sjellë atyre edhe shpërblimin prej 500 mijë eurosh, për të cilin ishte zotuar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë më 27 nëntor të vitit të shkuar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vendimi për ndarjen e këtij shpërblimi gjysmë milionësh do të jetë gati për miratim të hënën në mbledhjen e Qeverisë.

“Mirëmëngjesi fitues! Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, ka paralajmëruar Murati.

Ndërkohë, në rast se Kosova do të kualifikohet në Kupën e Botës e duke shënuar fitore ndaj Turqisë, do t’i kenë plus 1 milion euro të tjera si shpërblim.

“Besimin tonë në ta po e shprehim me zotimet tona për ta. Së pari, në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë euro, dhe së dyti në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion të tjera shpërblim. Përpara Kosovë, gjithmonë me ty”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 27 nëntor.