Kurti e Macron diskutojnë për sigurinë dhe integrimin evropian të Kosovës
Gentiana Kelmendi/RTKlive
(E përditësuar 18:35) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris, ku mes tjerash u diskutuan integrimet evropiane, siguria në Kosovë dhe raportet me Serbinë ndërlidhur me dialogun në Bruksel.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit potencohet se gjatë takimit u vlerësua kontributi i Francës për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i vendit në 35 nga 38 fusha reformash, sipas Raportit të fundit të Bashkimit Evropian. Po ashtu, potencohet se Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në takim u theksua rëndësia e sigurisë së Kosovës, përfshirë mbrojtjen e kufijve, ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse, bashkëpunimin me NATO-n dhe aleatët veri-atlantikë, si dhe roli i dialogut me Serbinë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë.
Gjithashtu, potencohet se u diskutua për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, si dhe për Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë, duke kërkuar mbështetjen e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre.
"Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës", thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
(17:35) Kurti arrin në Francë, pritet nga Macron në Pallatin Elysee |Video
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në Francë, ku është pritur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee.
Kurti ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë.
Lidhur me takimin ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.
“Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë takim dhe drekë pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të enjten mbrëma në televizionin Prva në Beograd se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e disa kushteve “kundër popullit serb”.























