Gashi fajëson shtetin për mungesën e listës zyrtare të viktimave të luftës
Valbona Thaçi, Gentiana Kelmendi|RTKLive
(E përditësuar) Në një reagim të ri publik, autori i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, ka fajësuar institucionet e Kosovës për mungesën e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave të luftës, duke thënë se gati tri dekada pas përfundimit të luftës, shteti ende nuk e ka përmbushur këtë përgjegjësi.
Në postimin e tij, Gashi ka theksuar se lista e vetme që ekziston aktualisht është ajo e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, dhe se kjo listë është përdorur për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi, sipas tij, nuk ekziston një listë tjetër gjithëpërfshirëse e të vrarëve gjatë luftës.
Ai ka ngritur dyshime për mospërputhjet në këtë listë, duke përmendur rastin e Burgut të Dubravës, ku, sipas të dhënave të cituara në postim, figurojnë 106 të vrarë, prej tyre 58 civilë dhe 48 persona të armatosur.
Sipas Gashit, mospërputhje të ngjashme shfaqen edhe në Masakrën e Mejës, ku nga 376 të vrarë, 349 figurojnë si civilë dhe 27 si të armatosur, si dhe në Reçak, ku nga 45 viktima, 37 janë regjistruar si civilë dhe 8 si të armatosur.
Në reagim thuhet se raste të ngjashme vërehen edhe në Kotlinë, Kaçanik dhe masakra të tjera, ndërsa theksohet se verifikimi i statusit të secilës viktimë nuk ka qenë përgjegjësi e organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA, pasi të dhënat janë marrë nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center.
Gashi ka përsëritur se përgjegjësia për hartimin e një liste zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës i takon institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, do të duhej prej kohësh ta përditësonin listën ekzistuese dhe ta hartonin një listë shtetërore.
Në fund të reagimit, është sqaruar se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është realizuar me leje nga Komuna e Prishtinës, e cila ka të drejtë ta revokojë atë, ndërsa është theksuar se donatorët e projektit nuk kanë pasur asnjë rol në përmbajtjen e ekspozitës dhe nuk mbajnë përgjegjësi për të.
(23:03) Gashi: Ekspozita bazohet në burime ekzistuese
Shkëlzen Gashi ka reaguar pas debatit të nxitur rreth ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e hapur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, duke sqaruar se ajo paraqet 49 nga 105 masakra të dokumentuara deri më tani dhe se për listën e viktimave janë mbështetur në burime ekzistuese, përfshirë “Librin e Kujtimit të Kosovës” të Humanitarian Law Center.
Sipas tij, ekspozita, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA, paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), nga ajo në Likoshan-Qirez më 28 shkurt 1998 deri te masakra në familjen Bala më 12 qershor 1999.
“Kjo ekspozitë paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në familjen Bala (12 qershor 1999). Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe do të përfshihen edhe në uebfaqen “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që do të lansohet së shpejti”, ka thënë Gashi në reagimin e tij.
Gashi ka theksuar se për përpilimin e listës së viktimave janë mbështetur në “Libër Kujtimi i Kosovës” të Humanitarian Law Center, organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić.
“Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić”, thuhet në reagimin e tij.
Sipas tij, në këtë listë, për disa raste, individë të vrarë figurojnë si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes kanë qenë civilë të paarmatosur dhe nuk kanë bërë rezistencë. “Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”.
Ai ka shtuar se kjo mbetet lista më e besueshme për dokumentimin e viktimave, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve.
Në fund, organizatorët u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të hartojnë sa më parë një listë zyrtare të viktimave, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet, duke theksuar përkushtimin për të nderuar të gjitha viktimat civile të luftës së fundit në Kosovë.
“ADMOVERE dhe INTEGRA u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të Kosovës që një listë e të vrarëve, e cila kërkon angazhim të jashtëzakonshëm, të hartohet sa më parë, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale. Njëkohësisht, ADMOVERE dhe INTEGRA mbeten të përkushtuara në punën e tyre për të nderuar të gjitha viktimat civile gjatë luftës së fundit në Kosovë”, përfundon reagimi i Gashit.























