Kurti: Me Macronin folëm për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE
Valmira Saraçi|RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka hapur mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar kabinetin e tij për takimin që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron, nw Pallatin Elysee në Paris, takim që tha se zgjati rreth dy orë.
Kreu i Qeverisë tha se me shefin e shtetit francez patën bisedë të thellë e të sinqertë, të përqendruar në tema të bashkëpunimit e integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes.
“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës në një takim dhe një drekë pune në pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë rreth dy orë që u përqendrua në tema të bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e zhvillimit”, tha Kurti para kabinetit të tij.
Shefi i Qeverisë, gjithashtu tha se me presidentin Macron biseduan për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE e në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, tha Kurti.
Tutje kryeqeveritari, në mbledhje të ekzekutivit tha se në këtë takim rreth dyorësh me presidentin e Francës, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit i diskutuan bashkë.
Kurse në konferencë për media, Kurti tha se fillimisht duhet të hiqet letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të nënshkruhen marrëveshja bazike e Brukselit dhe ajo e Ohrit.
“Për dialogun në Bruksel ne kemi diskutuar në veçanti në kuptim të zbatimit të marrëveshjeve të cilat kërkojnë mirëbesim, dhe kërkojnë siguri juridike, e që vjen nga nënshkrimi i marrëveshjes, e që vjen nga tërheqja e letrës së zonjës Bërnabiq e cila aso kohe ishte kryeministre, dhe e cila me datën 13 dhjetor 2023, merrni me mend, 27-ëshes së Bashkimit Evropian i tha që Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Si mund të bëjmë ne dialog, si mund të kemi zbatim të marrëveshjeve, si mun dtë mirëbesim nëse dikush thotë publikisht dhe lë zyrtarisht me letër të shkruar, që nuk ta respekton integritetin territorial? Ajo letër duhet të tërhiqet, marrëveshja bazike e Brukselit me Ankesin e zbatimit të Ohrit duhet të nënshkruhet, dhe le të mos harrojmë edhe këtë gjë unë e përmendi në çdo takim me ndërkombëtarët, jo vetëm tani në Paris, kryeterroristi Milan Radoiçiq duhet t'i dorëzohet organeve të sigurisë e drejtësisë në Kosovë”, theksoi Kurti.























