Çitaku: Kosova pa president për shkak të mungesës së vullnetit nga LVV
Valmira Saraçi|RTKlive
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova pa president nuk është për shkak të mungesës së ditëve, por për shkak të mungesës së vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo tha se ende nuk kanë një ftesë nga kreu i LVV-së për takim, por tha se njëherë do ta shqyrtojnë formën e përmbajtjen e pastaj do të tregojnë se si do të veprojnë.
“Ju e dini që Kosova është pa institucione të kosoliduara dhe pa president jo për shkak të mungesës së ditëve dhe afateve kohore, por për shkak të mungesës së vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë, do ta shohim edhe formën edhe përmbajtjen e pastaj do të reagojmë”, tha ajo.
Çitaku tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës ta kenë të qartë se ku është burimi i krizës institucionale e politike.
Ndërkohë, Çitaku ka folur edhe për ekspozitën e mbështetur nga Kuvendit e cila u hoq nga sheshi për shkak të pasaktësive në të dhëna.
Ajo ka kërkuar nga Prokuroria që t’i zgjerojë hetimet, e sipas saj të hetohet edhe pse, siç thotë, u mashtrua Kuvendi. Çitaku thotë se në kërkesën që kanë miratuar në Kryesi nuk figuron askund emri i Shkëlzen Gashit, derisa thotë se nëse Prokuroria nuk e shtrinë hetimin edhe në këtë drejtim, do të dorëzojë kallëzim penal.
“Sigurisht që nuk besoj që ka njeri që do të votonte kundër një kërkese të tillë, në rastin tonë, përveç Listës Serbe. Mirëpo në kërkesën që kemi pranuar ne, është organizata Integra, është nënshkruar nga Kushtirm Koliqi, askund nuk figuron, as në tekst, as në kërkesë emri i Shkëlzen Gashit, e as organizatës së tij, e as që ekspozita do të bëhet bazuar në librin e tij. Përkundrazi, na thuhet se kurator është një kurator i famshëm britanik, sikurse që Integra është një organizatë që Kuvendi i Kosovës ka bashkëpunim dy dekadash”, tha Çitaku.
Ajo tha se përtej pasaktësive, ka një manipulim të qëllimshëm.
“Dhe këtu duhet të ketë një hetim të veçantë. Si ka ardhur kjo kërkesë, pse është mashtruar Kryesia e Kuvendit, sepse kjo çfarë kemi miratuar ne, nuk reflekton me atë çfarë kemi parë në shesh”, tha Çitaku.
Sipas Çitakut të PDK-së, kjo është një njollë që do t’i mbetet Kuvendit të Republikës, derisa ka treguar se ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit, nga administrata të kërkohet kthimi i mjeteve. “Ky është vetëm një sanim sado i vogël, mirëpo ka qenë skandaloze, mënyra se si është manipuluar me institucionin e Kuvendit”, tha ajo.























