Lushaku-Sadriu: Përgjegjësia kryesore për presidentin është e LVV-së
Valmira Saraçi|RTKlive
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu tha se partia që ajo përfaqëson do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese e të dialogojë për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit, por tha ajo, përgjegjësia më e madhe në këtë drejtim i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është tepër me rëndësi që në këtë fazë Kosovës t’i jepen institucione funksionale e të mos cenohet për asnjë çast funksionaliteti i shtetit. Ne do të japim kontributin tonë për aq sa është përgjegjësia jonë. Por, mos të harrojmë se përgjegjësinë kryesore e bartë partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve, dhe pa të cilën nuk mund të zgjidhet presidenti. Nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje do të kemi, nëse jo, Kosovës i mbetet të shkohet drejt zgjedhjeve për çka LDK është e gatshme”.
Ajo tha se LDK-ja ka propozuar rrugët që vendit t’i jepet një emër presidenti.
“LDK ka propozuar rrugët, kemi thënë përmes një marrëveshje politike e të jepet një emër që përkrahet nga partitë politike, një rrugë tjetër ka qenë konsensusi. Por, gjithsesi nuk pajtohemi në asnjë formë që një parti që e ka sot qeverinë të imponojë edhe një president nga radhët partiake. Sepse, nuk është e drejtë e as synim i pastër që të tentohet të kapen të gjitha institucionet kryesore të shtetit”, tha ajo.
Ndërkohë, zyrtarja e LDK-së ka bërë të ditur se janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës, e që sipas saj, ka ndikuar në rritjen e të gjitha çmimeve tjera.
“Si rezultat i kësaj po përballemi me një krizë financiare. Secili qytetar, secila familje është duke pasur vështirësi, për shkak të inflacionit të madh dhe për shkak të çmimit të naftës”, tha ajo.
Ka treguar se në atë seancë do të propozojnë një rezolutë përmes së cilës tha se obligon Qeverinë të ndërmarrë mas a të menjëhershme.























