Prokuroria Speciale konfirmon hetimet për ekspozitën `Masakrat në Kosovë`
Gentiana Kelmendi/RTKlive
(E plotësuar 19:46) Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka autorizuar hetime lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Në kuadër të hetimeve është intervistuar një person nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Po ashtu, në vendbanimin e të dyshuarit është kryer urdhër kontrolli nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin.
"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar veprime hetimore lidhur me rastin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Në kuadër të hetimeve, është intervistuar një person Sh.G., nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Gjithashtu, në vendbanimin e të dyshuarit, është realizuar një urdhër kontrolli nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin", thuhet në njoftim.
(17:08) Gjinovci: Prokuroria Speciale ka autorizuar hetime ndaj Shkëlzen Gashit
Aktivisti Rron Gjinovci ka deklaruar se, sipas një dokumenti të Prokuroria Speciale e Kosovës, është autorizuar hetim ndaj Shkëlzen Gashi, ndërsa sipas tij, njësitet e policisë kanë bastisur banesën e tij dhe e kanë shoqëruar për intervistim.
Gjinovci ka publikuar një status në Facebook, ku pretendon se Prokuroria Speciale ka autorizuar Drejtorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Krimit të Organizuar për të hetuar “ndryshimin e të vërtetës për luftën çlirimtare”.
Sipas deklarimit të tij, në dokumentin e publikuar thuhet se “Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mosdurim te qytetarët dhe duke dëmtuar e ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë”.
Tutje, në të njëjtin dokument, sipas Gjinovcit, kërkohet që të sigurohet prezenca e të dyshuarit Shkëlzen Gashi për intervistim, me qëllim sqarimin e veprimeve të tij dhe burimeve të informatave që ai ka publikuar, të cilat, sipas dokumentit, “duket të jenë të pavërteta”.
Në një status tjetër, Rron Gjinovci pretendon se njësitet e Drejtorisë së Krimeve të Rënda, me urdhëresë të Prokurorisë Speciale, kanë shkuar në banesën e Shkëlzen Gashi për bastisje.
Sipas tij, policia ka ndërmarrë veprime për mbledhjen e provave dhe për shoqërimin e Shkëlzen Gashi, i cili, siç thuhet në deklaratë, ndodhet nën shoqërim policor, por ende i paarrestuar.
Gjinovci e ka cilësuar këtë veprim si shqetësues, duke e përshkruar situatën si një veprim ndaj një individi për shkak të një ekspozite.
RTKlive është në pritje të një përgjigjje zyrtare nga Prokuroria Speciale.
Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka njoftuar se po përcjell me vëmendje informacionet lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e vendosur në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës pas ekspozitës që sipas tyre paraqiste të dhëna të pasakta për masakrat e kryera gjatë luftës.























